-Kosova në festimet e 17 vjetorit të lirisë sot kujton edhe 10 qershorin e para 138 viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/
-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb. Raportova nga Prizreni edhe kur na ndaluan atje policia serbe në 10 qershor 1997/
-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Dita e 10 qershorit 1999 ishte ditë e kthesës së madhe për popullin tonë. Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë/
Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/
PRIZREN-PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Në qytetin më të madh jugor të Kosovës, Prizren, sot si tradicionalisht festohet përvjetori i Lidhjes Shqiptare. Në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atje ku para 138 viteve u mbajt Kuvendi historik drejt themelimit të shtetit shqiptar, sot kanë nisur veprimtaritë me vendosjen e kurorave për të vazhduar gjatë ditës me akademi solemne, ekspozitë dhe orë letrare. Në mbrëmje mbahet Koncerti Festiv i Lidhjes në Sheshin e Dëshmorëve.
Në veprimtaritë sot në qytetin historik u vlerësua se, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mishëroi në të njëjtën kohë edhe vet lëvizjen kombëtare që zhvilloi populli shqiptar për të realizuar programin e Rilindjes Kombëtare.
“Për këtë arsye, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në të njëjtën kohë një lëvizje kombëtare revolucionare e mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për vetëqenie dhe zhvillime përparuese me vlera perëndimore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi se me qëndresën e armatosur të patriotëve dhe me luftën diplomatike që zhvilloi për mbrojtjën e tokave shqiptare, detyroi Fuqitë e Mëdha të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre. Lidhja Shqiptare e Prizrenit edhe pas shtypjes, me programin e saj politik rriti përgjegjësinë dhe vetëdijën kombëtare që u realizua me 28 nëntor 1912 me shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur”, u theksua sot në Prizren.
“Urime 138 Vjetori i Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit!”, shkruan në faqen zyrtare të komunës së qytetit historik.
Veprimtaritë festive vazhojnë edhe në dy ditët e ardhëshme. Nesër nisin me orën letrare për fëmjë “Nën hijen Rrapit”, për të vazhduar te Keji i Lumëbardhit me transmetimin nga kampionati evropian i futbollit “Euro 2016” të historikes Shqipëri-Zvicër, e në mbrëmje me koncert të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” në Seshin e Dëshmorëve dhe shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjëve” në Teatrin Profesionist të Prizrenit.
Të dielen, aktivitetet në qytetin e Prizrenit për përvjetorin Lidhjes Shqiptare nisin me homazhe dëshmorëve të lirisë e pavarësisë dhe vazhdojnë me turneun tradicional në ping-pong “Trofeu i Lidhjes” në Qendrën e Sporteve, me çiklizëm të nxënësve të shkollave me nisje nga Seshi i Shatërvanit, me koncert të grupeve muziokore të komuniteteve dhe përmbyllen në mbrëmje vonë me koncerin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Lidhja e Prizrenit” në Sheshin e Dëshmorëve.
Kosova, edhe në qytete e lokalitete tjera, në festimet e 17 vjetorit të lirisë sot kujton edhe 10 qershorin e para 138 viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb. Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare i kam raportuar vit pas viti. Isha në në Prizren në ekipin e gazetës përditëshme të rezistencës në Kosovë “Bujku” për të raportuar për përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë -ATSH në 10 qershorin e vitit 1997 të pragluftës kur na ndaluan mes kërcënimit me armë policia e regjimit okupator serb, e cila edhe mori dhe asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë raportimet.
Në 17 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera të Kosovës festohen ditët e çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë – 12 qershorin, ditën kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, hyrjen e të cilave poashtu e kam raportuar duke qenë në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare që kalonin kufirin nga Maqedonia, në orën 05:17, herët në mëngjes.
Në kuadër të KFOR në Kosovë në vitin 1999 kanë hyrë 37.200 ushtarë nga 37 vende, pasi kishte përfunduar fushata ajrore e NATO-së ndaj caqeve të forcave serbe që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që ndodhën rreth orës 20:00 në mbrëmje i raportova nga Prishtina. Fushata ajrore e NATO-s zgjati 78 ditë dhe përfundoi pikërisht para 17 viteve në 10 qershor, pas kapitullimit të forcave të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur sot se, dita e 10 qershorit 1999 ishte ditë e kthesës së madhe për popullin tonë.
“Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë. Mbi themelet e kësaj dite kemi ndërtuar shtetin tonë. Sot, 17 vjet më pas, ne jemi në rrugë të mbarë për ta jetësuar aspiratën për një Kosovë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Të bashkuar si 17 vjet më parë, ne duhet ta rikthejmë entuziazmin dhe ta transformojmë atë në zhvillim të vendit dhe në mirëqenie të qytetarëve”, ka theksuar Thaçi.
Në 17 vjetorin e lirisë, Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.
Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.