-Kryeparlamentari Veseli priti në takim Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer/
PRISHTINË, 28 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer. Në takim u bisedua në radhë të parë për marrëdhëniet bilaterale të cilat ekzistojnë në mes dy vendeve.
Presidenti Fischer, duke folur për këtë, theksoi se “edhe pse në politikë gjithmonë ka hapësirë për t’u shprehur i pakënaqur me rrjedhën e gjërave, kur është fjala për raportet në mes Austrisë dhe Kosovës, mund të themi se këto raporte janë shumë të mira, të kënaqshme dhe në zgjerim e sipër, përfshirë edhe fushën e ekonomisë”, për të shtuar se “tregues i kësaj është edhe forumi ekonomik i dy vendeve që po zhvillohet aktualisht në Kosovë, e ku janë të pranishme mbi 20 biznese të fuqishme austriake”.Duke folur për raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, presidenti austriak përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim – Asociim me BE-në, për të theksuar se tash përpara është procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Vendet e Ballkanit perëndimor janë pjesë e Evropës dhe Bashkimi Evropian ka nevojë për këto vende”, theksoi presidenti Fischer.
Nga ana e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke falënderuar presidentin austriak për vizitën e tij që po zhvillon në Kosovë, u shpreh se “Republika e Kosovës i konsideron si vlerë të veçantë raportet shumë të mira që kemi ndërtuar me Republikën e Austrisë dhe në këtë kontekst, interesimi i kompanive austriake për ekonominë kosovare përbën një ngjarje me rëndësi kapitale për Kosovën”.
Më tutje Veseli theksoi se raportet e Kosovës me Austrinë janë raporte të shumëfishta miqësore, që padyshim kanë një impakt pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Duke folur për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fischer theksoi se, “ne në Austri, sidomos në përvojën shumë të mirë të Republikës së Dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, besojmë se problemet dhe çështjet, edhe kur janë të dhimbshme, duhet të trajtohen e zgjidhen në mënyrë paqësore dhe demokratike”.
Nga ana e tij kryetari Veseli theksoi se, “ajo çfarë është duke ndodhur, është një situatë e vështirë e mosmarrëveshjeve në mes partive politike në pushtet e opozitë dhe insistimi i tij i vazhdueshëm është që kjo situatë të tejkalohet vetëm dhe vetëm përmes procedurave demokratike, dialogut dhe konsensusit”.
Në fund të takimit presidenti Fischer falënderoi kryetarin Veseli dhe Kuvendin e Kosovës për mundësinë që nesër tu drejtohet, me një fjalim, përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës./b.j/