– Në Kuvendin e Kosovës, votim për demarkacionin dhe mocion mosbesimi për qeverinë. A do ketë zgjedhje të parakohëshme?/
-Pikërisht para tre viteve, në 7 maj 2014, Kuvendi i Kosovës është vetëshpërndarë, e më pas u mbajtën zgjedhjt e parakohëshme parlamentare në 8 qershor 2014/
PRISHTINË, 7 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë javën e ardhëshme priten zhvillime që mund të qojnë në zgjedhje të parakohëshme, fillimisht në shpërndarjen e Kuvendit, i cili edhe në legjislaturën e kaluar ishte vetëshpërndarë, pikërisht para tre viteve, në 7 maj 2014.
Kryeministri Isa Mustafa ka paralajmëruar se, qeveria do të mblidhet të hënën t’ia procedojë Kuvendit Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ky Projektligj, ishte në axhendën e Kuvendit të Kosovës në seancën e 1 shtatorit 2016, por u tërhoq nga qeveria derisa opozita e kundërshtonte edhe me protesta e mungonte Lista Serbe dhe nuk ishte e sigurt se për miratim do arriheshin të paktën 80 vota të parlamentit 120 anëtarësh.
Tre partitë opozitare, madje edhe disa deputetë nga maxhoranca, kanë paralajmëruar votim kundër edhe për riprocedimin në Kuvend dhe sipas disa deklaratave mosratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi në votimin në seancën që pritet të thirret të hënën Kosovën e çon në zgjedhje të parakohëshme.
Poashtu, në zgjedhje të parakohëshme mund të çojë një seancë tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit për mbajtjen e së cilës të mërkurën e ardhëshme – në 10 maj, u vendos të premtën e kaluar – në 5 maj, në një mbledhje të thirrur urgjent të Kryesisë së Kuvendit me shefat e grupeve parlamentare pasi partitë e opozitës, Nisma për Kosovën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për mocion të mosbesimit për qeverinë e Kosovës dorëzuan kërkesën me 42 nënshkrime, 8 nga të cilat nga grupe parlamentare të koaliciomit qeverisës – Partisë Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe të Grupit Gjashtë Plus të komuniteteve tjera pakicë.
Duhen së paku 61 vota të parlamentit 120 anëtarësh për t’u rrëzuar qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e cila është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, të cilat ishin të pestat në liri, të dytat në pavarësi.
Kuvendi i Kosovës, i legjislaturës së kaluar, të katërt në liri, pas kërkesës së nënshkruar nga 57 deputetë, mbështetur edhe nga partia më e madhe e maxhorancës-PDK edhe nga partia më e madhe e opozitës-LDK, u vetëshpërnda në një seancë të jashtëzakonshme në 7 maj 2014 me 90 vota pro, 4 kundër, 3 abstenime dhe menjëherë u shpallën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në momentin e votimit, prezenca fizike në seancë ishte 111 deputetë nga 120 anëtarët e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten së paku dy të tretat e të gjithë deputetëve kosovarë. Vendimi i Kuvendit për vetëshpërndarje është përcjellë edhe me duartrokitje të deputetëvëve.