-Deklaron Komandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, Admirali i Marinës Amerikane, Mark Ferguson/
-Rreth 5,000 trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO, nga 31 shtete vazhdojnë të punojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Komandanti i Komandës së Forcës së Përbashkët në Napoli, Admirali i Marinës Amerikane, Mark Ferguson, vizitoi Forcën e Kosovës (KFOR) dhe zyrtarë të lartë në Kosovë.
Vizita e tij përfshiu takime me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosije Sibaliq, kreun e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneral lejtënant Rrahman Rama.
Gjeneral majori i ushtrisë italiane Guglielmo Luigi Miglietta, komandant i KFOR-it, priti Admiralin Ferguson në Shtabin e KFOR-it në kampin Film City. Ai u informua nga stafi i selisë së KFOR-it për zhvillimet e fundit në situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, si dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit.
Qëllimi kryesor i vizitës së Admiralit Ferguson ishte për të diskutuar me udhëheqësit kryesorë për sigurinë dhe përpjekjet për stabilizim në Kosovë.
Komandantët diskutuan për rëndësinë e pranisë së KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurtë në Kosovë. Aftësia e KFOR-it për të punuar në mënyrë konstruktive dhe të paanshme si dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore dhe organizatat ndërkombëtare, mbetet një prioritet jetik për sigurimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, thekson komunikata e sapodërguar.
“Me fillimin e vitit të ri, unë pres për të vazhduar punën me partnerët për të ruajtur një atmosferë të qetë dhe të sigurtë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Admirali Ferguson. “Kosova ka pasur sukses në përmirësimet e qëndrueshme në mjedisin e sigurisë në sajë të shumë banorëve të saj të përkushtuar dhe besnikë”, theksoi ai.
NATO-ja udhëheq një operacion në mbështetje të paqes në Kosovë që nga qershori i vitit 1999 në mbështetje të përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të ndërtuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
Rreth 5,000 trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) të udhëhequra nga NATO, nga 31 shtete vazhdojnë të punojnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurtë si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, bën të ditur njoftimi i KFOR.
***
Admirali Ferguson: SHBA-të edhe në të ardhmen do ndihmojnë FSK-në/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Ministria e FSK-së në njoftimin e dërguar bën të ditur se, Komandanti i Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-ve, Mark E. Ferguson III, u prit sot në një takim pune nga Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës -FSK, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Admirali Ferguson shprehu kënaqësinë për vizitën e pritjen dhe theksoi se SHBA-të edhe në të ardhmen do ta ndihmojnë FSK-në. Ai shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta
Njoftimi thekson se, gjeneral Rama falënderoi admiralin Ferguson për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin për Kosovën, e në veçanti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me Gardën Kombëtare të Ajovës.
Me këtë rast Komandant Rama vlerësoi lartë edhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in që po zhvillohet në shumë fusha.
Ai e njoftoi admiralin Ferguson, me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, në të gjitha fushat, bashkëpunimin që ka me shumë shtete si dhe pjesëmarrjen në ushtrime dhe trajnime rajonale dhe ndërkombëtare.
Po ashtu gjenerallejtënant Rama e njoftoi admiralin Ferguson me zhvillimet aktuale në FSK, duke u fokusuar tek procesi i transformimit në Forcat e Armatosura të Kosovës./b.j/