
PRISHTINË, 22 Prill 2022-Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorët e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët mbërritën dje në Prishtinë. Pas këtij takimi presidentja Osmani ka shkruar: Kënaqësi të mirëpres senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis në Kosovë. Senatorët i informova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon. Përderisa Evropa po përjeton luftën në mes të demokracisë dhe tiranisë, Kosova, si gjithnjë, ka zgjedhur demokracinë. Avancimi i Kosovës në trajektoren e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është dëshmia më e fortë se populli jonë është i përkushtuar në rrugëtimin euro-atlantik. Kosova është më e fortë me aleatët e saj dhe jemi me fat të kemi mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë amerikanë.