-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova me propozimin për simbolet shtetërore të Kosovës doli në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, deklaronte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para gati 20 viteve – në funddhjetorin 2002, për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja/
-Para 15 viteve, pikërisht në 11 Qershor 2007, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar lajmin me këtë titull: Kosovë, miratohen kriteret për simbolet stetërore, kunkursi mund të shpallet nga e mërkura/
-Flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë i prezantuar e miratuar në Kuvendin e Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 kur u shpall pavarësia/
-Në 23 vjetorin e Lirisë, në vitin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës në 11 Qershor 2022 mbush poashtu 14 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri në 11 Qershor 2008/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, Qershor 2022/ “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, deklaronte Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga fundi i vitit 2002, pak kohë pas doli me propozimin për simbolet shtetërore të Kosovës, në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një intervistë ekskluzive, në prag të Vitit të Ri 2003, që pata zhvilluar atëherë për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha, pjesë të së cilës ka botuar edhe Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë, një nga pyetjet drejtuar Presidentit Rugova ishte: Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13-vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet.
Ndërsa, përgjigja e Presidentit Rugova ishte: “Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.
Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i ec këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen.
Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë.”
Kështu fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që zhvilloja para gati 20 viteve – në funddhjetorin 2002.
E para 15 viteve, pikërisht në 11 Qershor 2007, për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë kam raportuar lajmin me këtë titull: Kosovë, miratohen kriteret për simbolet stetërore, kunkursi mund të shpallet nga e mërkura.
Dhe me këtë tekst:
Ekipi i Unitetit sot ka miratuar kriteret për simbolet shtetërore të Kosovës dhe që nga e mërkura mund të shpallet konkursi. Këtë e bënë të ditur Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryetari i grupit punues për simbolet, Hajredin Kuçi. Konkursi do të jetë i hapur dhjetë ditë, e pastaj do të bëhet përzgjedhja nga një ekipë vlerësuese e spektrit të gjerë politik e profesional. “Kriteret për simbolet respektojnë Paketën e Ahtisaarit”, ka thënë Sejdiu, ndërsa Kuçi paralajmëroi se “do të jepet mundësia edhe për nivel ndërkombëtar, por bazamenti i konkursit do të jetë kombëtar”. U bë e ditur se fillimisht do të bëhen zgjidhjet për flamurin dhe stemën, ndërsa për himnin më vonë meqë është vlerësuar se nevojitet më shumë kohë. Siç merret vesh, mendohet që konkursi për simbolet të ketë tri çmime.
E në 27 Shtator 2007, po për Agjncinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, korrespondent i së cilës isha nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, kam raportuar se Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim, pas shqyrtimit të parë, dy projektligje të rëndësishme nga Paketa e Ahtisaarit: Projektligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës.
“Projektligji për simbolet shtetërore rregullon mënyrën e përdorimit të Flamurit, Stemës dhe Himnit të Kosovës, ndërsa sanksionon me dispozita ndëshkuese të gjithë ata që i keqpërdorin. Simbolet shtetërore do të aprovohen në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë janë në procedurat e përzgjedhjes Flamuri dhe Stema nga më se 1.000 aplikime në konkursin publik, ndërsa do të shpellet konkursi edhe për Himnin”, theksoja mes tjerash.
Flamuri i Republikës së Kosovës valoi për herë të parë i prezantuar dhe miratuar në Kuvendin e Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 kur u shpall pavarësia.
Para 14 viteve, në 3 Mars 2008 – më pak se tre javë pas shpalljes së pavarësisë kisha një bisedë ekskluzive me disanjuesin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, reportazhi që kam shkruar ashtu si është botuar në numrin e jashtëzakonshëm të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të datës 30 Dhjetor 2008, është ky:
Mbititulli: TRIMI I SIMBOLEVE SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Titulli: FLAMURI I SHPALOSUR NË DITËN HISTORIKE TË SHPALLJES SË SHTETIT TË KOSOVËS
Prishtinë, 3 mars 2008 – Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, Trimi i luftës për lirinë e Kosovës përjetoi “më shumë se gëzimin më të madh në botë”: Për shpalljen e Pavarësisë. Dhe për miratimin e propozimit të tij – Flamurit dhe Stemës së shtetit më të ri në botë – Kosovës.
“Ai gëzim nuk mund të tregohet me fjalë”. Festa e shpalljes së Pavërsisë, e Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve, për Muhamer Ibrahimin – Trimin ishte edhe festa e fatit më të madh. “Konkurrenca ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Kanë qenë mbi 1.000 aplikues me më se 5.000 propozime. Sa kam mund të shohë edhe konkurrentë të tjerë kanë pasur elemente të ngjashme për simbolet e shtetit. Po unë e kisha atë fat të madh që e kam fituar konkursin e shpallur nga Ekipi i Unitetit”.
Trimi, disanjues i simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, sot eksluzivisht ka treguar idetë dhe punën e tij për simbolet shtetërore të Kosovës, që e bënë edhe emër e njeri të historisë. “Flamuri dhe Stema dolën nga shumë ide. Edhe trendet politike të Kosovës më kanë dhënë drejtimiun dhe idenë për të krijuar simbolet e shtetit tonë”.
Trimi më tej thotë se ideja fillestare ishte se shteti i ri, Kosova, duhej ta ketë flamurin e vet, si simbol identiteti, dhe korniza ishin kriteret e Konkursit të shpallur nga Ekipi i Unitetit, bazuar në Paketën Ahtisaari. “Konkursi e ka pasë të trasuar rrugën pak a shumë, ishin kriteret e bashkësisë ndërkombëtare që duhej repektuar”.
Nga shumë e shumë ide Trimi ka ndarë tri elemente. “Një element i ideve ishte harta e Kosovës që e identifikon në flamur e në stemë shtetin dhe simbolizon integritetin territorial të shtetit. Ngjyra e artë – e verdhë e hartës simbolizon pasuritë e Kosovës, pasuritë nëntokësore e mbitokësore, dhe mbi të gjitha qytetarët e saj, popullin, që me shumicë është rini, e cila e përtërinë dhe rritë. Ngjyra blu paraqet përkatësinë evropiane të vendit dhe popullit, aspiratat e qytetarëve të Kosovës për integrimet euroatlantike. Gjashtë yjet paraqesin komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe barazinë e tyre, ngjyra e bardhë e yjeve të ardhmen e ndristshem të tyre në këtë vend të lirë e demokratik”.
I pyetur cilat janë gjashtë komunitetet, Trimi thotë: “Janë shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit, goranët dhe romët. Ka edhe nënetni të tjera, por këto janë etnitë kryesore”.
Kemi shkruar edhe në Studion e Trimit, ku për më se një muaj ka punuar, ka menduar thellë kreacione për Flamurin dhe Stemën. Në studion e tij Trimi kishe të shpalosur bashkë falmurin kombëtar shqiptar – shtetëror të Shqipërisë dhe flamurin e shtetit të Kosovës. “Këtu kam punuar ditë e natë. Konkretisht, me mendime, me realizime kam punar më se një muaj. Kam menduar për idetë edhe para se të shpallej konkursi, që paralajmërohej në media. Dhe, pak para mbylljes së konkursit, në momentet e fundit jam përcaktuar përfundimisht për ngjyrat në simbolet e shtetit.”
Trimi tregon për vetën: “Pseudonimin e kam që nga lindja, nga gjyshi, ai më kishte quajtur Trim nga gëzimi se familja u bë edhe me një djal. Gjyshi më ka thirrë gjithmonë Trim. Kështu më thërrasin edhe familja, farefisi, miqtë, shokët, dashamirët, kolegët…Më duket se më njohin më shumë si Trimi sesa si Muhamer Ibrahimi.
Jam i lndur në Prishtinë më 26 prill 1975, këtu jam rritur në lgjen Bregu i Diellit. Edhe jam shkolluar në Prishtinë. Shkollën fillore e kam kryer në ‘Ismail Qemaili’, të mesmen – degën e elektros në ‘Gjin Gazulli’, në Univeristet regjistrova Elektron po e përfundova Fakluletin e Arteve, që poashtu e kisha regjistruar. Vitin e parë e kreva para lufte, tri vitet e tjera të studimeve pas luftës për çlirimin e vendit. Tani mirrem aktivisht me disanjin grafik. E kam një studio timen në Prishtinë. Kam marrë pjesë edhe në konkurse të tjera, i kam disa shpërblime të fituara, si për logo, pulla postare, për disanje tjera. Në luftën e UÇK-së kam qenë në Zonën e Pashtrikut. Më parë isha në Shqipëri për trajnim”.
I pyetur si e ka menduar Kosovën e të ardhmes në kohën e luftës, Trimi thotë: “Kemi pasur një ideal dhe një vizion të qartë, gjithë rinia, gjithë luftëtarët e lirisë, gjithë populli. Prandaj, ishte lufta për një Kosovë të lirë, të çliruar nga okupimi serb. Për Kosovën vend i lirë, i pavarur, demokratik, si të gjitha shtetet e Evropës”.
Trimi tregon se për simbolet e shtetit kishte menduar edhe më herët se në qershorin e vitit të kaluar, kur u shpall konkursi nga Ekipi i Unitetit. “Pas lirisë së Kosovës, pas hyrjes së forcave të NATO-s, kur është folë se Kosova duhet prezantohet gjithësesi me simbole të reja të vetat, që atëherë kam pasë disa ide e mendime për simbolet e Kosovës”.
Konkursi për simbolet shtetërore të Kosovës ishte i hapur 15 ditë dhe u mbyll më 27 qershor 2007. Ndërkohë, 17 ditë para shpalljes së pavarësisë, më 31 janar 2008 Qeveria në koordinim të plotë me të gjitha partitë politike formoi Grupin për përzgjedhjen e simboleve shtetërore të Kosovës. Nga më se 5.000 propozime fillimisht u përzgjodhën 1.736. Më 5 shkurt 2008 pesë propozimet finale të Grupit Përzgjedhës u dorëzuan për procedura të mëtejme në Kuvendin e Kosovës, ku Flamuri dhe Stema me autorësi të Trimit u miratuan po në seancën historike të shpalljes së Pavarësisë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur ditë më parë në një takim Muhamer Ibrahimin – Trimin. Duke e uruar për disanjimin e flamurit të Republikës së Kosovës kryeministri tha se “ndihet shumë mirë që shpirti, mendja, sakrifica, ideja, ideali por edhe dora e ish-luftëtarit të lirisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka prezantuar dhe e ka dizajnuar simbolin e ri të Kosovës, flamurin shtetëror të Kosovës, që do të valojë edhe në OKB edhe në gjithë botën për jetë të jetëve”.
“Muhameri ka bërë një punë të mrekullueshme në atë konkurrencë të jashtëzakonshme profesionale. Ideal i luftës për liri tash po ngadhënjen edhe në betejën për disanjimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Trimi me këtë rast i dhuroi kopjen e parë të disanjuar të flamurit të Republikës së Kosovës kryeministrit Thaçi dhe i uroi atij dhe qeverisë së Kosovës shtetin e ri dhe të pavarur.
KOSOVA 14 VJET ME HIMN SHTETËROR, I MIRATUAR NË 11 QERSHOR 2008
-Himni i Kosovës ka edhe tekstin/
Në 23 vjetorin e Lirisë, në vitin e 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 edhe Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës në11 Qershor 2022 mbush poashtu 14 vjet nga miratimi në Kuvendin e shtetit të ri.
Propozimi me shifrën “Europa” u miratua pikërisht para 14 viteve në 11 Qershor 2008 në një seancë të veçantë të Kuvendit 120 anëtarësh si Himn Shtetëror i Republikës së Kosovës, me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.
Kompozitori Mendi Mengjiqi është autor i melodisë pa tekst, e përzgjedhur mes 134 propozimeve të paraqitura në konkursin publik për Himnin.
Komisioni për Simbolet Shtetërore të Kosovës kishte dërguar në Kuvend tre propozime, ndërsa Kryesia e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare nxorën në votim vetëm propozimin e parë – melodinë me shifrën “Europa”.
Në seancë plenare, deputetët u ngritën më këmbë për të nderuar Himnin e Republikës së Kosovës, të transmetuar në sallën e Kuvendit.
Në prag të 15 Qershorit 2008, ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, shteti i ri i Kosovës me Himnin i plotësoi simbolet shtetërore, pasi Kuvendi kishte miratuar edhe Flamurin e Stemën që në 17 Shkurt, në ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës kishte një konkurrencë të madhe, nga 134 propozimet 110 ishin nga Kosova, ndërsa 24 nga shtetet tjera të botës: 7 prej Francës, 5 prej Shqipërisë, nga 2 prej Gjermanisë, Suedisë e Sllovenisë, nga 1 prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Holandës, Rusisë, Zelandës së Re dhe Kroacisë.
Autori i Himnit, kompozitori Mengjiqi menjëherë pas miratimit të melodisë ka thënë se pret që me kohë ajo të bëhet edhe me tekst.
“Kur e kam punuar këtë himn tërë kohën kam menduar në tekst dhe me kohë ma merr mendja do t’u mbetet poetëve që të shkruajnë vargjet për këtë muzikë”, ka thënë autori.
“Himni është një vepër solemne dhe ekzekutohet nëpër raste të veçanta, duhet të jetë muzikë e mburrjes, e krenarisë, muzikë e paqes, dhe këtë ma merr mendja se e kam thënë përmes muzikës”, ka deklaruar Mengjiqi.
“Himni i Kosovës e ka tekstin”, ka shkruar shtypi kosovar në 6 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë duke bërë të ditur se në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, ajo shoqërohej edhe me vargje.
“Për shkak të limiteve të vendosura nga Pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin”, shkruante shtypi, duke shtuar se “tashmë që kjo pako i takon së kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e Kosovës të mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun”.
HIMNI I KOSOVËS
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
Kosova para 14 vitesh u bë me Himn Shtetëror edhe në prag të Ditës së Lirisë – 12 Qershorit, ditës kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 2022-tën e 23 vjetorit të Lirisë e të 14 vjetorit të Himnit Shtetëror, Kosova me Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 është e njohur deri tani nga 117 shtete të botës – anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
AMBASADORI AMERIKAN HOVENIER: KOMPOZITORI MENGJIQI PËRDORI TALENTIN E TIJ MUZIKOR PËR T’I DHËNË ZË PAVARËSISË DHE SOVRANITETIT TË KOSOVËS
Në këtë muaj Qershor 2022, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka pritur në takim kompozitorin Mendi Mengjiqin. Pas takimit ambasadori ka shkruar:
Kënaqësi të shoh Mendi Mengjiqin, kompozitorin e njohur kosovar. Pasi e përdori talentin e tij muzikor për t’i dhënë zë pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, kompozimet e tij të reja, “Symphonic Pain” (Dhembje Simfonike) & “To Breathe Again” (Për të marrë frymë përsëri), sjellin vëmendjen ndaj çështjeve të përbashkëta mjedisore, duke përfshirë ngrohjen globale.
Pata kënaqësinë të ndiqja shfaqjen premierë të “Për të marrë frymë përsëri” kur u interpretua nga Orkestra Filarmonike e Kosovës në Shkurt 2022.