Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 13 Korrik 2021/ Kosova me Flamurin e saj shtetëror është gati të niset drejt pjesëmarrjes me 11 sportistë në Lojërat Olimpike në Tokio – Japoni, që do mbahen prej 23 Korrik deri më 8 Gusht 2021. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi Flamurin shtetëror Ekipit Olimpik të Kosovës – kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, e cila në Lojërat Olimpike “Rio 2016” fitoi Medeljen e Artë. Në ceremoninë madhështore mbrëmjen e djeshme në Prishtinë – në Amfiteatrin e Pishinës në malin e Gërmisë bashkë me sportistët përfaqësues të Kosovës në Lojërat Olimpike e drejtuesit e lartë të Komitetit Olimpik të Kosovës në krye Presidentin Ismet Krasniqi ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, deputetë, ambasadorë, përfaqësues të komunave, sportistë, ish-sportistë, sportistë të shekullit e pjesëmarrës të tjerë. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, në fjalën e tij, duke i uruar fat dhe mbarësi ekipit olimpik, theksoi se ekipi olimpik i Kosovës ka ndryshuar pozitivisht nga Rio 2016, ku kishin tetë sportistë, dy me normë olimpike, kurse tani ka 11 sportistë, prej të cilëve gjashtë me normë olimpike. “Pavarësisht rezultateve tuaja, pavarësisht nëse do t’ju shohim apo jo në podium, ndihuni krenarë me arritjen tuaj, ndihuni krenarë për vendin që përfaqësoni, sepse ju jeni historia, jeni e ardhmja e ndritshme e sportit tonë, për çka ne jemi dhe do të jemi krenarë! Uroj t’ju shohim duke e lartësuar Flamurin tonë sa më shpesh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pjesëmarrja e Kosovës për herë të dytë në Lojërat Olimpike do të thotë ripërtëritje e krenarisë, duke marrë shembull lartësimin e Flamurit nga Majlinda Kelmendi në Rio 2016, derisa tha se edhe sportistët tjerë do ta ngrejnë lartë emrin e Kosovës dhe do t’ia shtojnë nderin mes qindra kombeve të tjera.
Me një video-mesazh motivues erdhi edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili nga Greqia ku ishte për vizitë zyrtare, u tha sportistëve të ndihen krenarë dhe ta lartësojnë Flamurin tonë në Tokio 2020. Të pranishmëve iu drejtua edhe Ministri Machida nga Ambasada e Kosovës në Japoni. Flamurmbajtësja Majlinda Kelmendi tha se është krenari që këtë herë do ta mbajë Flamurin si kampione olimpike, derisa shprehu optimizmin se Kosovën do ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Pjesë e ceremonisë ishte edhe Filharmonia e Kosovës me dy këngë me motive kosovaro-japoneze. Gjatë ceremonisë u prezantua edhe uniforma e ekipit olimpik, e cila krahas ngjyrave të Flamurit të Kosovës përmbanë edhe simbole dardane dhe ilire – imazhe të Hyjneshës në Fron dhe të Vrapueses së Prizrenit. Uniforma do të bartet nga lojtarët dhe trajnerët gjatë parakalimt dhe prezantimit zyrtar të ekipit të Kosovës në Tokio.
Në prag të Lojërave Olimpike Tokio 2020, para ceremonisë së dorëzimit të Flamurit për Ekipin Olimpik, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së djeshme ka pritur drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye Presidentin Ismet Krasniqi.
Ishte ky takimi i parë mes Presidentes Osmani dhe Presidentit Krasniqi, ku edhe uruan njëri-tjetrin për zgjedhjen e tyre në krye të Shtetit të Kosovës, respektivisht Komitetit Olimpik të Kosovës Presidenti Krasniqi shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarët e Bordit Ekzekutiv Avni Nuha e Halil Sylejmani, këshilltari Besim Aliti dhe shefi i misionit, Jeton Rudari. Presidentja Osmani e falënderoi Prsidentin Krasniqi për vizitën dhe u uroi sukses pjesëmarrësve të Kosovës në lojërat olimpike. Ajo i vlerësoi përgatitjet e Komitetit Olimpik të Kosovës për pjesëmarrje në këto lojëra dhe u shpreh e bindur se vajzat dhe djemtë e ekipit olimpik do të arrijnë rezultate të mira, duke e lartësuar emrin e tyre, por edhe emrin e Kosovës. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet që po i bën Komiteti Olimpik i Kosovës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Tokio 2020, si dhe me përgatitjet e ekipit olimpik të Kosovës. Ai e falënderoi Presidenten për përkrahjen e vazhdueshme të saj dhe të institucionit që ajo e drejton për ekipin olimpik të Kosovës. Presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, i ka uruar fat ekipit olimpik të Kosovës, me shpresën dhe besimin se nga Tokio 2020 do të kthehen me medalje. Presidenti Krasniqi i ndau Presidentes Osmani edhe uniformën zyrtare me të cilën ekipi olimpik i Kosovës do të paraqitet në Lojërat Olimpike. Që në 08 Korrik 2021, Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar listën përfundimtare të sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020 në gjashtë sporte – xhudo, mundje, not, atletikë, boks dhe shenjëtari sportive. Janë 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike: Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova (të gjithë nga xhudo), Egzon Shala (mundje). Me ftesë nga Komisioni Tre-Palësh janë Donjeta Sadiku (boks) dhe Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive), ndërsa me ftesë sipas vendeve të univerzalitetit janë atleti Musa Hajdari dhe notarët Eda Zeqiri e Olt Kondirolli.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, gjatë prezantimit të listës, ka deklaruar se drejt Japonisë udhëtojnë me synime për të fituar medalje. “Në Rio 2016 kemi pasur tetë sportistë dhe kemi fituar një medalje të artë olimpike me heroinën tonë, Majlinda Kelmendi. Tani kemi 11 sportistë nga të cilët presim të japin maksimumin… Synimet tona janë të fitojmë medalje, suksesi i madh”, tha mes tjerash Presidenti Krasniqi. Sekretari i përgjithshëm Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, ka folur edhe për përgatitjet tjera para udhëtimit për në Tokio 2020. Boksierja Donjeta Sadiku tha se i është realizuar ëndrra për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe këtë mundësi do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke theksuar se drejt Tokios udhëton për medalje.
Të parët që do të udhëtojnë drejt Tokios janë ekipi i xhudos, të cilët nisen më 14 korrik dhe do të vendosen në Komunën e Sanxhos.
EKIPI OLIMPIK I KOSOVËS – LISTA
Majlinda Kelmendi – xhudo (-52 kg)
Distria Krasniqi – xhudo (-48 kg)
Nora Gjakova – xhudo (-57 kg)
Loriana Kuka – xhudo (-78 kg)
Akil Gjakova – xhudo (-73 kg)
Egzon Shala – mundje (-125 kg)
Drilon Ibrahimi – shenjëtari sportive (10 m. Pushkë ajrore)
Donjeta Sadiku – boks (57-60 kg)
Eda Zeqiri – not (400 m. stil i lirë)
Olt Kondirolli – not (100 m. stil i lirë)
Musa Hajdari – atletikë (800 m.)