Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ajo që po ngjan këta katër muaj në Kosovë mund të ndodhë vetëm në vendin më të humbur të botës, shumë larg Europës, ku demokracia nuk ekziston as në letër e as në fjalë.
Është një precedent i paparë ndonjëherë, ku një ish-kryeministër që i ka humbur zgjedhjet, përmes kapjes të pushteteve që e kanë humbur pavarësinë institucionale, e diskriminon popullin e vet, të cilit i ndalon të drejtën e pushtetit të votës si Sovran.
Një popull që ka dalë viktimë e një konflikti mizor dhe prej 15 vitesh vazhdon t‘i jepet liria me pikatore, po përjeton një tranzicion të tmerrshëm. Popullit me moshën më të re dhe njëkohësisht më i varfri në Europë, ku vendi ka mbetur i paintegruar, duke mos përbërë asnjë atraksion për investitorët e huaj, për shkak të një qeverisje që i ka hapur rrugën korrupsionit dhe informalitetit, duke e lënë papunësinë në 70%, tani i duhet të përjetojë katër muaj tmerr pa fund, sepse Hashim Thaçi, i cili nuk arrin dot të ketë shumicën parlamentare, vazhdon dhe e mban peng vendin, duke përfituar nga heshtja e Faktorit Ndërkombëtar.
Po kalojnë katër muaj dhe po mbahet në mënyrë artificiale në këmbë një ngërç që mund të mos kishte ndodhur kurrë me përgjegjshmërinë minimale të kreut të shtetit.
Le të marrim si shembull krizën e Greqisë të vitit 2012.
Në zgjedhjet e 6 majit 2012 që u mbajtën në Greqi, Demokracia e Re(ND) fitoi 18.9 % të votave ose 108 vende nga 300 sa ka Parlamenti grek. Ajo ishte partia e parë fituese, por pa shumicë, si PD e Hashim Thaçit.
Si e tillë, duke mos patur shumicën, partia Demokracia e Re hyri në kërkim të aleancës postzgjedhore me PASOK. Por edhe pas kësaj aleance postzgjedhore, të dy partitë kryesore pro-Europiane, Demokracia e Re me 18.9% ose 108 vende dhe PASOK me 13.2% ose 41 vende, duke patur vetëm 149 vende, edhe pas tratativave të dështuara me partitë e tjera, nuk arritën dot që të kishin shumicën me 151 nga 300 vende sa ka parlamenti.
Në këto kushte, më 15 maj 2012, pas kësaj ngecje apo ngërçi që nuk zgjati më shumë se nëntë ditë nga dita e zgjedhjeve, Presidenti i Greqisë, Karlos Papulias deklaroi se, pasi nuk u arrit dot që të gjendej një akord midis partive për të krijuar një maxhorancë të qendrueshme, Greqisë i duhet të shkojë në zgjedhje në javën e dytë të qershorit.
Një ditë më vonë, më 16 maj 2012, Presidenti Papulias emëron Panagiotis Pikrammenos kryeministër « ad interim », të përkohshëm, duke caktuar njëkohësisht datën e mbajtjes të zgjedhjeve 17 qershorin 2012.
Tri ditë pas zgjedhjeve të 17 qershorit 2012, Demokracia e Re (ND) që fitoi 29.66% ose 129 vende për të krijuar qeverinë hyri në aleancë paszgjedhore me PASOK që fitoi 12.28% ose 33 vende dhe së bashku me partinë Demokracia e Majtë (DIMAR) me 6.26% ose 17 vende, krijuan një shumicë të qendrueshme. Dhe më 9 korrik 2012 qeveria e Samaras fitoi votëbesimin me 179 vota nga 300 sa ka parlamenti grek.
Pra brenda dy muajsh në Greqi u mbajtën dy palë zgjedhje, u tejkalua kriza dhe u formua qeveria. Ndërsa në Kosovë ka filluar muaji i pestë i krizës dhe të gjithë janë kthyer në shurdhmemecë.
Le të krijojmë paralelizëm me rezultatet e zgjedhjeve të 8 qershorit që u mbajtën në Kosovë. Hashim Thaçi me 30.38% të votave dhe me 37 deputetët e tij dështoi në përpjekjet për të krijuar shumicën me të cilën do të votohej kryekuvendari.
Në këtë kushte dhe sa më shpejt që të ishte e mundur, meqë Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të dyta sepse e ka maxhorancën, presidentes do t’i duhej të caktonte partinë e dytë më të madhe, në rastin tonë aleancën paszgjedhore VLAN ( ku LDK ka 25.24% me 30 vende, VV 13.59% me 16 vende AAK 9.54% me 11 vende, NISMA 5.15% me 6 vende) e cila me rreth 55% të votave ose ndryshe me 61 deputetë e pati mundësinë që të zgjidhte kryekuvendarin.
Ndërhyrja e presidentes për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese ishte nonsens. Sepse ajo i ka të gjitha kompetencat kushtetuese si NR.1 i Shtetit. Meqë u gjendëm përpara një fait a accompli, Presidentja duhej të insistonte që vendimi nga Gjykata Kushtetuese të ishte sa më i shpejtë me qëllim që Parlamenti të vijonte punën me konstituimin e institucioneve.
Ndërkaq Kosova ka nisur muajin e pestë të një ngërçi artificial me pasoja për vendin, ku Sovrani duket se nuk ka asnjë vlerë. Presidentja e Kosovës le ta krahasojë veten me një president të një vendi demokratik, në një republikë parlamentare, siç është Greqia, vend anëtar i BE dhe NATO-s. Dhe të na thotë pastaj se si ndihet kur Kosova dergjet në një qorrsokak.
Sadik Elshani says
Per fat te keq, ky nuk eshte vetem nje ngerc, por nje narkoze e thelle. Politikanet dhe udheheqesit e Kosoves me veprimet, apo thene me mire, mosveprimet e tyre, po tregojne se ata nuk e cajne koken per interesat madhore te vendit, por vetem per interesat e tyre te ngushta dhe te klaneve te tyre. Ata nuk jane duke i marre gjerat seriozisht dhe kjo plogeshti, ky mosseriozitet po i zhgenjen edhe miqte e perkrahesit tane me te devotshem, dhe ata me te drejte jane duke e humbur durimin. Deri kur te tjeret (te huajt) do te na kryejne punet qe ne duhet t’i kryejme vete?! Pra, politikane te Kosoves, veproni, sepse jeni duke e demtuar Kosoven dhe imazhin e saj. Po kam frike se demi vec eshte bere, por te mos behet edhe me i madh. Kjo gjendje politike anemike eshte vetem ne dobi te kundershtareve dhe armiqve tane te shumte.