
Sokol PAJA – DIELLI/
Kosova na dha një leksion të pastër demokracie, kulture politike, ndërgjegjësimi qytetar dhe shtetformimi.

Zgjedhjet në Kosovë ishin model edhe për botën e qytetëruar. Fushata, përgatitjet parazgjedhore, votimi, kontrolli paraprak i kandidatëve, administrimi i votës dhe pranimi i rezultatit ishte një model fantastik duke pasur parasysh moshën dhe eksperiencën e institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet në Kosovë na dhanë një leksion shumë dimensional. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Kosova na dha jo vetëm një shembull por mbi të gjitha tregoi një kulturë demokratike, votuesi shqiptar i Kosovës po ashtu. Kosova na mësoi si fitohet, si numërohet, si votohet, si pranohet rezultati, si humbësi merr përgjegjësi, si fituesi duhet të shërbejë, si i përzgjedhuri nuk udhëhiqet nga arroganca por nga thjeshtësia dhe shërbesa ndaj qytetarëve. Përpara shpalljes së datës së zgjedhjeve, shkuarja në ballafaqim elektoral, ishte një mësim i fuqishëm institucional, sesi gjykatat në shtetin e Kosovës nuk i komandon, drejton, apo shantazhon politika e ditës. Gjykata supreme rrëzoi qeverinë që mbahej në këmbë nga një votë e paligjshme. A ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri kjo? Kurrë. A do të mundet të ndodhë ndonjëherë, kategorikisht jo. Maturia e institucioneve në Kosovë është fantastike edhe pse numërojnë pak më shumë se një dekadë jetë. Pa mbaruar numërimi i votave, humbësi uron fituesin dhe mban përgjegjësi për rezultatin. Lidershipi i Kosovës na dha leksion, institucionet na dhanë leksion por mbi të gjitha votuesi shqiptar i Kosovës, mërgata shqiptare në çdo cep të globit krijoi një model fantastik ndërgjegjësimi patriotik. Mërgimtarët sfiduan kushtet atmosferike të jashtëzakonshme, nuk pyetën për distancat gjeografike, nuk pyetën për kostot ekonomike por morën pjesë masivisht për ti hapur atdheut të tyre një dritë shpresë, një të ardhme më të mirë, një qeverisje më të përgjegjshme. Mësimi më i madh që na dhanë shqiptarët e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, është fakti se ata erdhën e votuan të gjithë për të ardhmen e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë që ikën. Kosova na tregoi se duhet ta luftojmë të keqen në vend dhe në mergatë, kudo ku atdheu ka nevojë bijtë e vet duhet të jenë aty për ta shpëtuar mëmëdheun. Votuesi në Kosovë por mbi të gjitha votuesit e mërgatës e tronditën themelin e politikës së vjetër. Çmontuan një sistem që kishte konsoliduar rreth vetes gjithçka. Kjo frymë dhe ky mësim duhet të merret si etalon nga shqiptarët në Shqipëri dhe mërgata me banim jashtë atdheut që të shkojnë më 25 prill në Shqipëri, nga çdo cep i botës për të bërë përmbysjen e madhe, për të shkërmoqur me votë të lirë dhe demokratike qeverinë më të shëmtuar në 30 vite tranzicion. Mërgata shqiptare duhet të ndërgjegjësohet më shumë se asnjëherë, nëse neokomunistët marrin një tjetër mandat, pas disa vitesh nuk do të ketë më Shqipëri. Ndryshimi i elitave drejtuese dhe politike është një domosdoshmëri jetike për Shqipërinë. Vetëm në 8 vitet e fundit si pasojë e keqqeverisjes janë detyruar të largohen nga Shqipëria 600 mijë shqiptarë. Qeveria Rama kreu një genocid ekonomik, politik, social mbi shqiptarët e ndershëm e të pamundur. Fatkeqësisht është krijuar një Shqipëri e të pasurve, e oligarkëve e klaneve mafjoze politike, një atdhe që bëhet i pajetueshëm për bijtë e tij, të varfrit, njerëzit e thjeshtë, të ndershmit nuk kanë më akses në atdheun e tyre. Shqipëria nuk u përket më shqiptarëve por një grushti politikanësh që dominojnë skenën tash 30 vjet dhe pasunarësh të pasuruar mbi kurrizin e shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Në Shqipëri ka humbur shpresa, është vrarë ideja se një ditë Shqipëria do të bëhet. Qeveria me qëllim që ta mbajë të nënshtruar dhe ta përdorë e shantazhojë më lehtë votuesin para zgjedhjeve, i ka lënë shqiptarët në varfëri dhe të lidhur pashmangshmërisht e ngushtësisht me pushtetin e ditës. Shqipëria ka nevojë urgjente ndryshimin e filozofisë së të bërit shtet dhe të qeverisjes ndaj njerëzve. Shqipëria ka nevojë të ndryshojë urgjent qasjen ndaj institucioneve, votuesve, ndaj ligjit, ndaj përgjegjësive. Shqipëria ka nevojë mbi gjithçka e çdo gjë për shqiptarët e saj, për bijtë në mergatë që të kthehen në atdhe si në Kosovë e të ndryshojnë me votë fatet e një atdheu të rrezikuar dhe të shkëpusin një herë e mirë Shqipërinë nga kthetrat e lugetërve politik, përbindshave të pashpirt që e shvasin, copëtojnë dhe poshtërojnë çdo ditë Shqipërinë.