-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti takime të veçanta me Sekretaren e përgjithshme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid/
-Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE/
-Për procesin e bisedimeve më Serbinë, Kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke/ -Sekretarja Schmid përgëzoi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha/
PRISHTINË, 27 Tetor 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Maria Schmid, sot në Prishtinë është pritur në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në OSBE dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me misionin e saj ne Kosovë si reflektim i vlerave të përbashkëta të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sundimit të ligjit.
Në takim është diskutuar për një sërë temash që nga gratë në siguri, zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të forcuar sundimin e ligjit.
Presidentja Osmani shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe përsëriti qëndrimin se reformimi i sistemit të drejtësisë, punësimi dhe fuqizimi i rolit të gruas në Kosovë do të vazhdojnë të jenë prioritet për institucionet e Kosovës. Ajo ka falënderuar zonjën Schmidt për angazhimin dhe ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes për Kosovën.
Kryeministri Albin Kurti në takim bashkë me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, e njoftoi sekretaren Schmid me punët dhe progresin e Qeverisë në 7 muaj qeverisje, për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi dhe në veçanti theksoi përkushtimin për zhvillimin e arsimit dual si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim dhe integrim, porse ritheksoi se nuk përkrah nisma rajonale ku nuk është prezent e pjesëmarrëse BE-ja.
Sekretarja Schmid e përgëzoi kryeministrin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për përgatitjen e infrastrukturës ligjore, si fazë e parë për procesin e vetingut si dhe për progresin mbresëlënës në shumë fusha.
Ajo e vlerësoi veçanërisht angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit.
Për procesin e bisedimeve më Serbinë, kryeministri Kurti tha se bosht i tyre duhet të jetë njohja reciproke, dhe se të pagjeturit do të mbeten prioriteti i parë.
Zëvendëskryeministri Bislimi, duke folur për dialogun dhe rezultatet që priten nga ai, theksoi përkushtimin e Kosovës në arritjen e njohjes reciproke dhe i cilësoi të papranueshme provokimet që i bën Serbia.
Sekretarja Schmid shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe ekspertizës për qeverinë, në përputhje me nevojat e institucioneve dhe fushëveprimin e OSBE-së.
Kryeministri Kurti falënderoi sekretaren Schmid për vizitën dhe kërkoi që të ngritet përfaqësimi dhe pjesëmarrja e Kosovës në OSBE.
Në takim ishin edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zvëndësambasadori Kilian Wahl, zyrtarja e Qendrës për Parandalimin e Konfliktit, znj. Mariana Roibu, dhe zyrtarja ekzekutive e sekretares së përgjithshme, znj.Juliane Ziegler.