Kosova plot flamuj feste në 10 vjetorin e Pavarësisë/
-Ekspozita Rrënjët e Shtetit e hapur në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë/
-Pjesë e veprimtarive festive për 10 vjetorin e pavarësisë, në Prishtinë kishte edhe spektakël parashutistësh të Federatës Aeronautike me flamuj të shtetit të Kosovës/
Kosova në 10 vjetorin e pavarësisë 10 ditë festime /
-Ekspozita Rrënjët e Shtetit e hapur në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë/
-Pjesë e veprimtarive festive për 10 vjetorin e pavarësisë, në Prishtinë kishte edhe spektakël parashutistësh të Federatës Aeronautike me flamuj të shtetit të Kosovës/
PRISHTINË, 11 Shkurt 2018- Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Kosova me plot flamuj feste në 10 vjetorin e Pavarësisë pret ditën e 17 shkurtit të pas një jave me shumë festime, që po zhvillohen edhe sot, duke nisur në mengjes me “Vrapimi i pavarësisë” përgjatë 50 kilometrave nga Klina deri në Gllogjan, për të përfunduar në Koshare. Axhenda e festimeve të ditës së sotme përmbyllet në mbrëmje me ekspozitën multimediale “Midis ëndërrës dhe realitetit”, të Eliza Hoxhës, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe me muzikë me DJ në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Në veprimtaritë e 10 ditëve të festimeve të 10 vjetorit të pavarësisë është edhe ekspozita “Rrënjët e Shtetit” e hapur në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, e cila paraqet 50 vjet të rrugëtimit të Kosovës, nga demonstratat e vitit 1968 ku kërkohej statusi i Republikës deri në shpalljen e pavarësisë në 2008-tën, përmes ballinave e faqeve tjera të gazetave botërore që raportonin për zhvillimet në Kosovë.
Edhe sot në sheshet e kryeqytetit, Prishtinës, vazhdonin të ngriheshin flamujt e shtetit të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, e të njohur deri tani nga 115 vende anëtare të OKB-së.
Pjesë e veprimtarive festive për 10 vjetorin e pavarësisë në Prishtinë ishte edhe një spektakël parashutistësh të Federatës Aeronautike me flamuj të shtetit të Kosovës.
“Fluturimi i lirisë, një spektakël i shkëlqyer në qiell i anëtarëve të Federatës Aeronautike të Kosovës”, është shprehur me vlerësim presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, nën patronatin e të cilit mbahen festimet e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, e në kuadër të të cilave këtë javë për jubileun e parë të shtetit iu adresua qeverisë në mbledhjen ku kryeminsitri Ramush Haradinaj njoftoi për përgatitjet.
“Rrugëtimi ynë, i Kosovës, është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik”, theksoi presidenti i Republikës, ndërsa bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.
“Në kuadër të manifestimeve për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, gjatë 10 ditëve, nga 8 deri në 18 shkurt, organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe politike. Në këto aktivitete do marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare”, theksojnë në Presidencë.
Me mbështetje e organizim nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, gjatë fundjaves së kaluar në Prishtinë janë mbledhur dhjetëra wikipedianë vullnetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ndërkohë që javën vijuese edhe nga vende tjera evropiane për ta pasuruar enciklopedinë e lire wikipedia me artikuj dhe fotografi mbi Kosovën.
Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që synohet që të vazhdojë të shtrihet në gjithë Kosovën, duke përfshirë vullnetarë të ri dhe kreativë.
Wikipedianët vullnetarë nëpërmjet Wiki-Academy Kosovo 2018 kanë pasuruar enciklopedinë Wikipedia me qindra artikujt dhe fotografi, ndërkohë që po aq pritet të shtohen edhe gjatë ditëve të ardhshme të punës dhe brenda dy punëtorive të radhës këtë fundjavë në Qendrën e Inovacionit të Kosovës.
Sipas Ministrisë së Jashtme, Kosova e pavarur deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.