
PRISHTINË, 31 Janar 2025-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Në Kosovë përkujtohen tre heronjët e kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 28 vjetorin e rënies.
Para 28 viteve, në 31 janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.
Në homazhet te lapidari, te vendi i rënies së tre heronjëve dhe te shtatoret e tyre e në veprimtari tjera përkujtimore marrin pjesë përfaqësues institucionalë e politikë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe tek shtatorja e Zahir Pajazitit, në 28 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Me respekt dhe krenari e kujtojmë heroin Zahir Pajaziti, vizionarin e luftës çlirimtare, i cili bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, me guxim dhe vendosmëri, krahas edhe shumë bashkëluftëtarëve të UÇK-së, hapën rrugën drejt çlirimit të Kosovës, duke u bërë simbole të sakrificës dhe përkushtimit për atdheun.
Sot, më shumë se kurrë, e kemi për detyrë të mos e harrojmë idealin e tyre. Liria për të cilën ata dhanë jetën duhet të mbrohet jo vetëm me kujtimin për ta dhe heronjtë e tjerë të UÇK-së, por me punën, angazhimin dhe përkushtimin ndaj Kosovës, të cilën e ëndërruan dhe për të cilën ranë ata.
Lavdi e përjetshme heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!
Kryetari i Kryeqytetit – Prishtinës, Përparim Rama, ndau Mirënjohje për familjet Pajaziti, Zejnullahu dhe Hoxha për kontributin e dhënë në çlirimin e vendit.
Ai ka shkruar:
Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë përulemi para veprës heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, tre shtyllave të pathyeshme të luftës për liri.
Në këtë ditë përkujtimore, ne nuk i kujtojmë vetëm si të rënë, por si të pavdekshëm, sepse vepra dhe ideali i tyre jetojnë në çdo brez që rritet me frymën e tyre.
Në emër të Kryeqytetit, me krenari kemi ndarë mirënjohje për familjet e tyre për veprën e të bijëve. Me trimërinë e tyre, ata luftuan shtypjen dhe padrejtësinë, duke e shkruar me gjakun e tyre kapitullin më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. Bashkë me ekipin e Kryeqytetit bëmë homazhe edhe para shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë dhe në fshatin Orllan dhe Lladoc, duke dëshmuar se kujtesa jonë kolektive mbetet e gjallë dhe e përjetshme.