
– Kryeministri Kurti: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin kushtrimi për luftë çlirimtare/
PRISHTINË, 31 Janar 2023-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë përkujtohen heronjët e kombit. Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryeministri Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla së bashku bënë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në sheshin me emrin etij në Prishtinë, në 26 vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Para 26 viteve, në 31 Janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.
Duke kujtuar e përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, në të njëjtën kohë ne tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, për shtetin tonë, për pavarësinë tonë dhe se sa i vlefshëm për të tashmen dhe të ardhmen është ky kujtim e ky përkujtim që bëhet si nga institucionet, po ashtu edhe nga qytetarët e vendit tonë, tha Kryeministri Kurti.
Ai tha se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, por njëkohësisht ishin edhe pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqenëse ata kryenin aksione çlirimtare edhe para se të fillonte lufta.