PRISHTINË, 26 Maj 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), njëherësh i dërguar special për sigurinë në rrugë i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Jean Todt, i cili po viziton Kosovën.Kryeministri Mustafa fillimisht e priti në zyrën e tij presidentin Todt, ndërsa më pas së bashku kanë vizituar veturat e garave automobilistike kosovare të ekspozuara në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.Kryeministri Mustafa e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të presidentit Todt për sportin e Kosovës, duke theksuar se përmes miqve si ai Kosova po arrin që të jetë prezentë në të gjitha sportet botërore.“Ne e patëm një takim me presidentin Todt në zyrën time, biseduam për përkrahjen e tij dhe iu falënderuam për këtë përkrahje të madhe. Biseduam veçmas për sigurinë në rrugë, sepse është edhe përfaqësues i sekretarit të Kombeve të Bashkuara dhe është zë shumë i rëndësishëm i sigurisë në rrugë. U zotuam se ne do të marrim të gjitha masat në mënyrë që të siguromë fëmijët, udhëtarët, sepse ata gjithmonë janë të rrezikuar gjatë daljes në rrugë që nga edukimi, nga infrastruktura dhe nga mjetet tjera ndihmëse”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri Mustafa e ka falënderuar për përkrahjen që ka dhënë në anëtarësimin e Kosovës në FIA.
“Me këtë ne po arrijmë që të gjitha sportet tona të bëhen pjesë e sporteve botërore dhe falë miqve tanë, siç është Jean këtu sot së bashku me ne. Ne do të bashkëpunojmë edhe më tutje dhe do të përkrahim edhe këtë sport sepse është sport shumë i rëndësishëm për ne për arsye se përfshinë një gjeneratë të re e cila është mjaft e prirë në këtë fushë”, tha kryeministri Isa Mustafa.Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), Jean Todt, ka vlerësuar përkushtimin e Kosovës në avancimin e sportit, duke përfshirë edhe automobilizmin.
Presidenti Todt shprehu përkrahjen e tij të mëtejshme për automobilizmin kosovar.Ai, po ashtu, gjatë takimit me kryeministrin Mustafa e ka falënderuar për rëndësinë e rritjes së masave dhe vetëdijesimit për sigurinë në trafikun rrugor, duke iu referuar fatkeqësive të shumta, me pasoja të rënda, që ndodhin në mbarë botën./b.j/