Prof. Dr. Sylë Ukshini: Kosova-Sfidë e Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së: Nga shpërbërja e Jugosllavisë deri te pavarësia e Kosovës. Wien. LIT Verlag 2020, 304 f, ISBN 978-3-43-91144-5.
Nga Stephan Lipsius, Kassel/Kassel/Gjermani
Studimet nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, e drejtës ndërkombëtare dhe evropiane për zhvillimin e “Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë” (PPJS) së BE-së në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, deri më tani janë të disponueshme vetëm në mënyrë sporadike. Kjo vlen po ashtu edhe për periudhën e pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, dikur ish-krahinë autonome e Federatës Jugosllave.
PPJS-ja, e cila u themelua për herë të parë në bazë të ligjit primar në vitin 1993 me “Traktatin e Mastrihtit” dhe u përfshi në kuadrin e tij ligjor si shtylla e dytë nga tre shtyllat e BE-së, tani është një nga fushat më ambicioze dhe më të rëndësishme të politikave të BE-së.
Megjithatë, Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes ishte ende e përjashtuar nga traktatet themeluese të KE-së. “Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë” i ka rrënjët në “Bashkëpunimin Politik Evropian” (BPE), për të cilin shtetet anëtare të Bashkëpunimi Ekonomik Evropian ranë dakord mbi iniciativën e Francës në dhjetor të vitit 1969 në formën e një bashkëpunimi ndërqeveritar që nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm në atë kohë.
Sylë Ukshini studimin e tij, i cili është i struktura mirë dhe të qartë në dhjetë kapituj dhe shkruar si disertacion në Universitetin e Bremenit (Gjermani), e ka fokusuar në pesë periudha studimore që përfshijnë një hapësirë kohore nga marsi 1989 deri në fillim të vitit 2012.
Për ta përkufizuare temën, ai formulon tetë pyetje qendrore që synojnë të identifikojnë dhe emërtojnë ata faktorë se si kriza e Kosovës ka kontribuar në zhvillimin dhe, mbi të gjitha, në institucionalizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë evropiane dhe anasjelltas.
Ai flet për qasjet dhe strategjitë që BE-ja ka ndjekur në adresimin e problematikës së Kosovës.
Kështu, studimi trajton dy problematika komplekse dhe këndvështrime të ndryshme, të cilat, megjithatë, janë të lidhura ngushtë politikisht dhe kauzalisht.
Autori, i cili tashmë ka botuar disa libra dhe artikuj të shumtë të specializuar në Kosovë dhe që ka punuar në shërbimin diplomatik në vendin e tij, së fundi si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës Tiranë dhe aktualisht drejtor i “Departamentit të Çështjeve Politike” të Ministrisë së Jashtme në Prishtinë.
Këtë studim ai e mbështet mbi vrojtimet jo vetëm përmes një numri të madh monografish, artikujsh të specializuar dhe raporteve të shtypit, por edhe si dëshmitar bashkëkohor që mori pjesë në konsultime të ndryshme ndërkombëtare si pjesë e funksioneve të tij diplomatike dhe politike, duke iu rikthyer edhe dokumenteve dhe shkresave zyrtare.
Në këtë kontekst, duhet përmendur pozitivisht se Sylë Ukshini arrin në vazhdimësi të argumentojë në nivel të lartë shkencor dhe të mbajë distancën e nevojshme shkencore-analitike, pavarësisht zhvillimeve të dhunshme të luftës në Kosovë, duke i mbetur besnik gjithmonë argumenteve kredibile dhe të paanshme.
Nga dhjetë kapitujt e studimit, dy prej trajtojnë drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, derisa kapitulli i dytë trajton bazën historike të fushave të politikave të përmendura.
Ndërsa, kapitulli i shtatë jep një pasqyrë të zhvillimit të mëtejshëm të PPJS-së të BE-së në formën e një integrimi të “Politikës Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes” (PESM) si një nënfushë e re në fokus në strukturën politike të PPJS-së.
Politika Evropiane e Sigurisë dhe Mbrojtjes (ESDP), origjina e së cilës shkon prapa në “Bashkimin Evropian Perëndimor” (WEU) dhe që për këtë arsye nuk ishte fillimisht pjesë integrale e integrimit evropian dhe e procesit të bashkimit evropian, u krijua në vitin 2001 përmes “Traktatit të Nicës”.
Atij iu dha emërtimi aktual “Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes” (CSDP) me “Traktatin e Lisbonës” në vitin 2007, megjithëse vazhdon të ketë grupin e vet të rregullave brenda CFSP-së.
Me shtatë kapituj (përfshirë hyrjen dhe kapitullin përfundimtar), pjesa më e madhe e studimit i kushtohet një prezantimi shumë të detajuar të fazave të ndryshme të politikës së BE-së për çështjen e Kosovës, me Kapitullin 8 (“Roli i Bashkimit Evropian në Kosovë në periudhën e pasluftës”) si dhe kapitulli i 9-të (“Pavarësia e Kosovës”) me seksionet e tij, ndër të tjera, për përfshirjen e GJND-së në shpalljen e pavarësisë dhe mendimin e GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë, janë veçanërisht informuese për të kuptuar zhvillimet e fundit për Kosovën.
Në konkluzionet e tij përfundimtare Sylë Ukshini në fund të studimit i përmbledhë 25 gjetjet kryesore, të cilat në formë të përmbledhur përshijnë rezultatet më të rëndësishme të këtij studimi për rolin dhe qëndrimin e politikës së BE-së në raport me Kosovën. Kështu autori, për shembull, pjesëmarrjen e BE-së në operacionet ajrore të NATO-s kundër Beogradit dhe në rolin e evropianëve në zgjidhjen diplomatike të krizës së Kosovës përmes “Planit Fischer, e vlerëson si kulmin e angazhimit shumëpalësh dhe diplomatik të BE-së në çështjen e Kosovës. Sidoqoftë, ai konstaton se pas përfundimit të luftës në Kosovë, Politika e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së fillimisht nuk ishte e kishte temë diskutimi çështjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, përkundrazi, BE-ja e shikonte Kosovën vetëm si një rajon të administruar nga Kombet e Bashkuara.
Argument qendror i autorit në kapitullin e fundit është konstatimi i mungesës së një qëndrimi të unifikuar të vendeve anëtare të BE-së lidhur me çështjen e zgjidhjes dhe të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe si zhvillimet politike dhe juridike të ankorimit të misionit të sundimit të ligjit, EULEX, nën ombrellën e OKB-së, përkatësisht për suksesin e kufizuar të misionit EULEX, gjë që ka inkurajuar Serbinë dhe Rusinë që të vazhdojnë të refuzojnë realitetet në Kosovë.
Në përfundim, Sylë Ukshini konstaton se “Kosova ishte sfida më e madhe dhe më e rëndësishme për politikën e jashtme të BE-së dhe në procesin e integrimit politik evropian” dhe se politika e jashtme e BE-së nuk guxon të dështojë në Kosovë.
“Südosteuropa Mitteilungen”(SOM) Nr. 04/2021.