-Ministria e Mjedisit me aktivitete të ndryshme e shënoi Ditën e Tokës/
-Edhe organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim aksion kundër ndotjes së ajrit/
PRISHTINË, 22 Prill 2017-Gazeta DIELLI/ Sot edhe në Kosovë, sikurse edhe në mbarë botën, u shënua 22 Prilli – Dita Ndërkombëtare e Planetit Tokë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim me Forcën e Sigurisë së Kosvës, Fakultetin e Shkencave Matematikoro-Natyrore, organizatat joqeveritare mjedisore, dhe institucionet tjera relevante, shënoi këtë ditë me aktivitete të ndryshme.
Ideja për Ditën e Tokës është zhvilluar që nga viti 1962. Senatori Gaylord Nelson, pas shumë përpjekjeve dhe takimeve, arriti që idenë për Ditën e Tokës, si çështje mjedisore, ta fusë në programin politik. Qëllimi i kësaj date mbetet mbrojtja e planetit Tokë dhe të gjitha resurseve të saj nga ndotja. Shënimi i kësaj ditës së planetit Tokë, është një lëvizje e cila angazhohet për përfshirjen e të gjithëve në mbrojtje të Tokës. Kjo është një ditë që shërben për të dhënë alarmin për dëmet që njerëzimi i shkakton pyjeve, lumenjve, tokës dhe pasurive të tjera të natyrës dhe të reflektoj e sensibilizohet për të ndalur shkatërrimin e mëtejshëm të saj. Pikërisht me këtë datë shumë qytetarë, fëmijë, të rinj e të moshuar kudo në botë ndajnë pak kohë për të mbjellë një pemë, pastruar një territor publik, përuruar një lulishte apo për të marrë pjesë në evente që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin qytetar ndaj çështjeve mjedisore. Pra qëllimi i kësaj dite është angazhimi i të gjithë njerëzve anë e mbanë botës në mbrojte të Tokës.
Manifestimi qendror u mbajt në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Ferat Shala, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ka theksuar se kjo ditë konsiderohet si dita e angazhimit shtesë ndaj problemeve kryesore që lidhen me degradimin e tokës, si rezultat i braktisjes, keqpërdorimit dhe shfrytëzimit jo racional të resurseve natyrore të saj. Shkatërrimi i tokës jo vetëm në vendin tonë, por edhe në shumë vende tjera të botës konsiderohet si çështje me prioritet të lartë shtetëror. Janë bërë investime të rëndësishme për mbrojtjen e tokës së Kosovës, por mbetet akoma shumë punë për të bërë në mbrojtjen e saj nga shpyllëzimi, erozioni dhe ndërtimet e shumta.
Ministri Shala ndër të tjera theksoi se zakonisht kjo ditë shfrytëzohet për të organizuar aktivitete që kanë për qëllim që të sensibilizojë opinion e gjerë për probleme dhe çështje mjedisore që kanë ndikime negative në të ardhmen e planetit tokë. Shumica e këtyre çështjeve ndërlidhen me mbi shfrytëzimin apo keqpërdorimin e resurseve natyrore apo edhe me shkarkimet e dëmshme të ndotësve në ajër, ujë dhe tokë.
Me këtë rast ministri Shala ftoi që të bëhemi pjesë e iniciativave dhe aktiviteteve që kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit apo të jepet kontributi i duhur duke u kujdesur për mjedisin ose duke ndërmarrë aktivitete që kanë për synim përmirësimin e gjendjes së mjedisit.
Nga Ministria u bë edhe ndarja e mirënjohjeve për kontributin e dhënë në implementimin e aktiviteteve me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Nga nxënësit e dy shkollave të Prishtinës (“Shkolla e Gjelbër” dhe “Shkolla Model”) u ekspozuan edhe vizatimet e nxënësve, aktivitete këto që kanë për synim ngritjen e vetëdijesimit publik në ruajtjen e mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë.
Organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, organizuan sot aksionin kundër ndotjes së ajrit në sheshin Nënë Tereza të Prishtinës.
PEN – Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim – SFCK, me mbështetje nga Komisioni Evropian, kanë ftuar të gjithë njerëzit, të rinjtë, fëmijët dhe prindërit, që të bashkohen për të ngritur zërin ndaj ndotjes së ajrit në Prishtinë.
Në këtë veprimtari iu bë thirrje institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor si dhe Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, që të punojnë në mënyrë sistematike, pavarësisht stinëve dhe niveleve të ndotjes, në marrjen e masave gjatë periudhave kur ndotja e ajrit fillon të rritet, si dhe të vazhdojnë të publikojnë të dhanat për ndotjen e ajrit edhe gjatë stinës së pranverës dhe verës.
Njoftimi i dërguar thekson se, “Making Sense” është një projekt inovativ, i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe zhvillohet paralelisht në Belgjikë, Spanjë, Skoci, Holandë dhe Kosovë.
Ky projekt në Kosovë implementohet nga PEN (Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë) dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim. Qëllimi i projektit është aftësimi i qytetarëve që të monitorojnë vetë gjendjen e mjedisit të tyre, të krijojnë kampanja mobilizuese, dhe së bashku me akterë kryesorë të synojnë ndryshime pozitive në fushën e mjedisit në Kosovë./b.j/