-Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, ka hyrë në fuqi para 12 viteve – në 15 Qershor 2008/
-Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/
-Kosova e lirë dhe e pavarur përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike/
KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 15 Qershor 2020/ Para 12 viteve, pas shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik, pas më pak se katër muajve – në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushtetuta që përcakton që në Nenin 1 se, “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.
Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht, citojmë të plota dy nenet e para:
“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit]
1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.
2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve
brenda kufijve të saj.
3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
Neni 2 [Sovraniteti]
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë
Kushtetutë dhe me ligj.
3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare.”
Kushtetuta, akti më i lartë juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit 2008.
Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.
Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu, presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.
Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.
Deri në 12 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.
Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.
Para 31 vitesh, në 28 Mars 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.
Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Demonstratat pasonin grevën e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.
Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.
Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti Hashim Thaçi.
Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa, si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes).
Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës po shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.
Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…
Kosova për lirinë dhe pavarësinë është përgjithmonë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.