-Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Ramush Haradinaj e bëri të qartë se tash ky është realiteti dhe kjo masë e ndërmarrë sot duhet të zbatohet një qind për qind. Masa prej 100 për qind ndaj Serbisë, shkak i bllokimit të vendit për t’i gëzuar të drejtat e CEFTA-s/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*
PRISHTINË, 21 Nëntor 2018/ Në mbledhjen e pasditës së sotme të Qeverisë së Kosovës, vendimi për vendosjen e masës mbrojtëse, që nga 6 nëntori 2018 ishte 10 për qind, për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është ndryshuar dhe taksa do të ketë vlerën 100 % të mallrave të importuara nga këto vende. Gjithashtu do të ndalohet importimi i produkteve që në etiketa dhe deklarata përcjellëse të mallrave të importuara shkruajnë emërtimet “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë 1244”, “Kosovë UNMIK”. Në arsyetim të vendimit thuhet se, Marrëveshja e CEFT-as në raportet tregtare Kosovë-Serbi është shkelur në vazhdimësi nga pala serbe, që nga nënshkrimi i saj.
“Jemi dëshmitar që një kohë të gjatë se Kosova është bllokuar, nuk është lejuar që t’i gëzojë të drejtat e CEFTA-s, është penguar përmes origjinës së mallit pra duke mos e njohur origjinën e mallit, është penguar në transport, analiza dhe në çdo instrument tjetër. CEFTA, nuk ka funksionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është dëshmi. Serbia është duke e cenuar edhe sigurinë kombëtare, pra kjo është qasja që ka ardh nga Serbia në vazhdimësi në periudhat e fundit”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e 76-të të Qeverisë, nga ku kjo e fundit mori vendim për vendosjen e masës prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks.
Kryeministri Haradinaj, tha se, pasi është bërë një analizë e respektimit të marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia, shihet se në të gjitha vitet e kaluara, prej kur ekziston CEFTA, Serbia i ka vendosë Kosovës barriera jotarifore, jo taksë e ngjashme sikurse që e ka vendosë Kosova, por e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu malli i Kosovës ka pasur vështirësi të hyjë në Serbi.
“E ka vështirësuar dakordimin e analizave për çdo produkt që ka hyrë, ka vendosë procedurë të verifikimit të analizës dhe e ka bërë të pamundur të hyjë ose të transportohet. Ka penguar transportin, pra vulat e dyfishta. Ka përdorur plot masa, me të cilat Serbia nuk e ka respektuar CEFTA-n. Edhe pse Kosova është ankuar disa herë radhazi te CEFTA dhe institucione tjera të BE-së, prapë Serbia nuk e ka respektuar këtë masë, shtuar këtu edhe agresivitetin politik, pengesat që ia bënë vendit”, e bëri të qartë kryeministri Haradinaj duke thënë se Qeveria e vendit nga sot, obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, vendimi ky që ka hyrë në fuqi menjëherë.
Ndër tjerash, duke i listuar shkeljet që ia kanë bërë në vazhdimësi Serbia dhe Bosnje Hercegovina Kosovës, siç janë mosrespektimi i rregullave të origjinës dhe bashkëpunimit në administrimin doganor, përdorimi i vulave paralele të cilat nuk i njihen Kosovës, Menaxhimi i Integruar i Kufijve, ku nuk kanë vendosur kontroll efektiv mbi qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, dëme materiale dhe siguria e ultë në brezin kufitar, pastaj Energjia nga ku 30 milionë euro humbje direkte në vit dhe rreth 300 milionë euro humbje si rezultat i mungesës së qasjes në energji, e po ashtu ndihma shtetërore që në çdo euro të shitur në Kosovë Serbia i stimulon kompanitë serbe me 30 cent, dhe shumë shkelje tjera, kryeministri Haradinaj, shtoi se kjo është një masë legjitime që kanë marrë institucionet e Kosovës, jo nga dëshira, por për shkak të sjelljes shqetësuese të Serbisë ndaj Kosovës.
6 NËNTOR 2018: QEVERIA E KOSOVËS VENDOSI MASË MBROJTËSE – TAKSËN 10% PËR PRODUKTET E IMPORTUARA NGA REPUBLIKA E SERBISË DHE NGA BOSNJA DHE HERCEGOVINA