-Jahjaga: Lajm fantastik nga UNESCO. Mustafa: Kosova në UNESCO, do të përfitojnë të gjithë qytetarët. Veseli: Falënderoj në emër të Kuvendit të Republikës. Thaçi: Një hap shumë i madh përpara per Kosovën/
-Në ditët e ardhshme na presin lajme të mira nga Brukseli për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Tetor 2015/ Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s sapo aprovoi Rezolutën që rekomandon pranimin e Republikës së Kosovës në UNESCO, bën të ditur nga Parisi shefi i dipolomacisë kosovare, Hashim Thaçi. “Një hap shumë i madh përpara per Kosovën”, thekson ai.
“Lajm fantastik nga UNESCO”, shprehet Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. “Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s rekomandon kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Kërkesa tani i drejtohet Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në nëntor për votën e anëtarësimit. Vazhdojmë tutje me përkushtim për të avancuar vlerat, harmoninë dhe progresin e vendit tonë”, thekson Presidentja e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehet: “Falënderoj në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe emrin tim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Kroacinë dhe Shqipërinë, për angazhimin maksimal që vendi ynë të bëhet pjesë e UNESCO-s”.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sapo deklaron se, vendimi i Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s është fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar.
Në deklaratën e dërguar nga qeveria e Kosovës thuhet se, Bordi Ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka votuar me shumicë votash që të pranojë kërkesën e Republikës së Kosovës për t’u bërë anëtare e UNESCO-s, ndërsa shpresojmë që vendimi përfundimtar në favor të Kosovës do të merret nga Konferenca e Përgjithshme e kësaj organizate.
Përkrahja për shtetin e Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, është dëshmi e fuqishme se axhenda Euro-Atlantike e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare është një proces që po fuqizohet çdo ditë.
Parimet themeltare të UNESCO-s janë që të kontribuojë për paqen dhe sigurinë, duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës dhe për të çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Këto parime janë fundamentale për një shoqëri demokratike, për të cilat është orientuar Kosova me një konsensus të plotë shoqëror dhe kulturor.
Procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO po bëhet me një punë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve tjera kompetente dhe nuk është e drejtuar ndaj asnjë shteti fqinj dhe as kundër ndonjë bashkësie etnike në Kosovë.
Nëpërmes anëtarësimit në UNESCO, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie ose religjioni dhe do të avancohet edhe më tutje bashkëjetesa, si një traditë qe e kemi ruajtur dhe kultivuar ndër shekuj.
Vendimi i Bordit të UNESCO-s për pranim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është edhe një vendosmëri e shtetit të Kosovës për të ndërtuar partneritet të fuqishëm me miqtë tanë ndërkombëtarë. Shteti i Kosovës dhe shoqëria në përgjithësi nuk do ta keqpërdor këtë përkrahje dhe besim, përkundrazi, do të jemi edhe më rigoroz në respektimin e të drejtave për arsim, shkencë dhe kulturë, të të gjithë qytetarëve, konform standardeve më të larta ndërkombëtare.
Në ditët e ardhshme na presin lajme të mira nga Brukseli për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, përfundon deklarata nënshkruar nga Isa Mustafa, kryeministër i Republikës së Kosovës.
Ministria kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e vlerëson ditë të shënuar për Kosovën hapin e parë të Kosovës, të bërë sot, drejt anëtarësimit në UNESCO.
Në deklaratën e dërguar thekson se, votimi i sotshëm i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm të rëndësishëm të OKB-së, është vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe historik për Kosovën, për historinë dhe kulturën e saj, me të cilën po hapen rrugë të reja për anëtarësim në struktura relevante ndërkombëtare.
Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO, i cili pritet të ndodhë gjatë punimeve të Asamblesë, muajin që vjen, është edhe një dëshmi e sukseseve të Kosovës, njohjes dhe pranimit të saj në arenën ndërkombëtare.
Kosova, me trashëgiminë e pasur kulturore, të evidencuar që nga Antikiteti i hershëm e gjer në historinë e re, ka çfarë t’i ofrojë botës, ndaj njohja e këtyre vlerave, shtron para nesh standarde ndërkombëtare, të cilat duhet t’i përqafojmë pa asnjë rezervë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është e përkushtuar që të punojë maksimalisht për ruajtjen, konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, si dhe diversitetin kulturor, si vlera të përhershme të shoqërisë sonë, duke njohur dhe pranuar veçantitë e trashëgimisë, si dhe statusin kushtetues të saj.
Me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.