-Presidentja Osmani i shpallë zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës për 17 Tetor 2021/
-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 do jenë të tetat/
-Kosova ka gjithësej 38 komuna, ku zgjedhen kryetarët dhe kuvendet komunale, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është komuna e kryeqytetit – Prishtinës/
-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 15 Qershor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimit me subjektet politike më 2 Qershor 2021 dhe në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës ka caktuar 17 Tetorin 2021 datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Me të njëjtin vendim, Presidentja Osmani ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi.
Në këto 13 vite të Pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe tetë palë zgjedhje të lira e demokratike, pesë parlamentare dhe tre lokale. Zgjedhjet parlamentare, të tetat në 22 vjet lir e të pestat në 13 vjet pavarësi u mbatën në prag të ditëfestës së 13 vjetorit të Kosovës Shtet – në 14 Shkurt 2021 dhe po në këtë vit do mbahen edhe zgjedhje lokle.
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 do jenë të tetat.
Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.
Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 Nëntor.
Kosova ka gjithësej 38 komuna, ku zgjedhen kryetarët dhe kuvendet komunale, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është komuna e kryeqytetit – Prishtinës.
Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më te voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.