-Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re të Kosovës/
-Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkoi masë të përkohshme/
-Lidhja Demokratike e Kosovës kërkonr seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të shtunën e 2 Majit/
-Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti/
PRISHTINË, 30 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka dekretuar të propozuarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin, si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi pas konsultimeve me partitë parlamentare gjatë javës së kaluar, ku shumica absolute e tyre u shprehën për shmangien e zgjedhjeve dhe krijimin e Qeverisë së re, sipas rezultateve të zgjedhjeve së 6 tetorit, ka marrë konfirmimin zyrtar të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, se kjo parti ka shumicën e votave në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta formuar Qeverinë e re.
“Sot kam marrë një letër nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, përmes së cilës ai konfirmon që i plotëson të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e Qeverisë së re, duke përfshirë edhe atë të sigurimit të shumicës parlamentare për Qeverinë e re. Në përputhje me këtë letër, sapo kam dekretuar z. Avdullah Hoti si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit theksoi se në ditët në vijim një Qeveri e re mund të votohet sërish në Kuvendin e Kosovës, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të vendit, duke marrë një legjitimitet të qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Thaçi u shpreh i bindur se në politikën kosovare do të mbizotërojë arsyeja, maturia dhe pjekuria politike, duke shtuar se askush nuk duhet të pretendojë që me metoda të tjera jodemokratike mund ta marrë ose ta mbajë pushtetin.
“Të gjithë ne, si zyrtarë dhe si politikanë të Kosovës, duhet t’i respektojmë këto procedura. Duhet të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe të rendit demokratik”, ka përfunduar presidenti Thaçi.
Menjëherë pas këtij zhvillimi nga Partia e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti u njoftua:
“Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit që qartazi shkel kushtetutën për t’i bërë të bindurit e tij qeveri të ardhshme. Ne nuk do të ndalemi së mbrojtur kushtetutën dhe kushtetutshmërinë, demokracinë dhe Republikën e Kosovës.”
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë të ditur se Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i kanë bërë kërkesë për masë të përkohshme dhe u kanë bërë thirrje deputetëve që të mos marrin asnjë veprim pa ndonjë vendim të Kushtetueses.
Po në orët e fundit u njoftua se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend kërkesën me 61 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën e 2 Majit, në ora 13:00, ku pikë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e Qeverisë së re Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë dhe Qeveria e re mund të zgjedhet me votat e së paku një më shumë se gjysma e depuetëve.
Në 25 Mars 2020, Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare, më shumë se një orë para mesnate, votoi me 82 vota pro, 32 kundër e 1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit Albin Kurti – liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.