Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: NEWBORN, simboli i Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë/
-Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës/
PRISHTINË, 14 Qershor 2016-B.Jashari/.- Republika e Kosovës tashmë zyrtarisht është anëtarja e 121 me të drejta të plota e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë. Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në njoftimin e dërguar pak më parë. Për këtë, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka falënderuar përfaqësuesit e shteteve përkrahëse duke e vlerësuar anëtarësimin lajm të mirë për Kosovën.
“Me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Faleminderit shteteve pëkrahëse për votimin dhe diplomatëve të Kosovës për lobimin. Koordinimi i mirëfilltë me partnerët po sjellë edhe rezultatet diplomatike”, është shprehur ministri Hoxhaj.
MPJ kosovare thekson se, anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmojë Kosovën në aspektin ekonomik sepse do të ofrojë siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar, pasi që kjo gjykatë do t’iu mundësojë investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit.Anëtarësimi në këtë organizatë përveç tjerash konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe e pajis shtetin me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private.