-Thaçi: Kosova ka të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s përpara se të bëhet një shtet anëtar i OKB-së, me kusht që ajo të sigurojë një shumicë prej dy të tretave të votave në konferencën e përgjithshme, një votim ky që zhvillohet me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
Shefi i diplomacisë së Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të 21 gushtit 2015, mes tjerash ka thënë:
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Ne fillimisht kërkuam nga Nju Jorku që të përcjellë kërkesën tonë për në UNESCO pasi kjo ishte një këshillë që na u bë nga Sekretariati i UNESCO-s. Ne e kuptojmë se OKB-ja nuk dëshiron të ketë një rol në shkëmbimin e korrespondencës dhe ua ka lënë vendeve anëtare të UNESCO-s që të vendosin mbi meritën e anëtarësimit të Kosovës. Ne dëgjuam disa çështje që u ngritën këtu sot, dhe më lejoni që të përgjigjem në disa prej tyre:
A ka Kosova të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s para se të bëhet anëtare e OKB-së?
Përgjigjja është një po absolute. Kosova ka të drejtë të bëhet anëtare e UNESCO-s përpara se të bëhet një shtet anëtar i OKB-së, me kusht që ajo të sigurojë një shumicë prej dy të tretave të votave në konferencën e përgjithshme, një votim ky që zhvillohet me rekomandimin e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s. Ne do ta kuptojmë rezultatin përfundimtar të votimit në nëntor të këtij viti. Shumë vende, duke filluar nga Austria deri te Vietnami, janë bërë anëtare të UNESCO-s shumë kohë para se të anëtarësoheshin në OKB.
Një pyetje e dytë është: a thua anëtarësimi i Kosovës në UNESCO-s do të rrezikojë dialogun që po vazhdon në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre?
Kosova tashmë është anëtare e dy agjencive të specializuara të OKB-së, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. UNESCO për këtë arsye nuk do të jetë agjencia ose organizata e parë ndërkombëtare në të cilën anëtarësohet Kosova që nga fillimi i dialogut teknik me Serbinë në mars të vitit 2011. Pra, pavarësisht nga ajo që po e thotë Serbia, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare vetëm se do të forcojë stabilitetin dhe do të fuqizojë dialogun që kërkon normalizim. Izolimi i Kosovës, me siguri nuk do të sjellë normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe së treti, më duhet të përgjigjem në pyetjen nëse objektet e trashëgimisë nën mbrojtjen e UNESCO-s janë të sigurta në Kosovë?
Unë mund të konfirmoj sot me përgjegjësi të plotë se ato janë të sigurta, ose më të sigurta se çdoherë gjatë njëmijë viteve të fundit. Ato janë të mbrojtura nga një kornizë ligjore shumë e konsoliduar dhe bashkëkohore, e aprovuar nga i dërguari i OKB-së Martti Ahtisaari, e mbështetur gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së si dhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. 95% e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe mbahen të sigurta nga vetë policia jonë. Forcat e NATO-s na kanë dhënë besimin e tyre dhe janë të kënaqur me sigurinë rreth këtyre objekteve. Mijëra turistë që nga Japonia deri në Ruandë po i vizitojnë sot këto objekte dhe ato gjenerojnë të ardhura të mira për popullin e Kosovës. Unë ju ftoj juve anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vizitoni Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur për t’u bindur vetë për sigurinë dhe situatën pozitive në vend. Qeveria jonë gjithashtu është angazhuar në dialog ndërfetar dhe kjo u vu re në disa raporte nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, si një kontribut pozitiv për pajtim.
Të nderuar anëtarë të Këshillit,
Unë po i ndjek me vëmendje dhe gjerësisht çështjet që kanë të bëjnë me kërkesën tonë për anëtarësim në UNESCO, sepse seriozisht jemi të shqetësuar me metodat që po aplikon Serbia në përpjekje që të na mohojë anëtarësinë dhe të na mbajë të izoluar nga mundësitë në arsim, shkencë dhe kulturë.
Ambasadori i Serbisë në UNESCO, z. Darko Tanaskoviç, kohët e fundit, në një intervistë për një radio ruse, bëri thirrje për një “front më të gjerë të krishterë” kundër anëtarësimit të Kosovës!
Kjo gjuhë, krejtësisht e papërshtatshme dhe e papranueshme bën thirrje për përplasje mes besimeve dhe përmban tone të qarta raciste. Lufta në Kosovë nuk ishte një konflikt fetar. Ajo ishte një gjenocid i kryer nga shteti i Serbisë, që shkatërroi jetët e njerëzve në tri vende dhe që shkaktoi tri konflikte të ndryshme të armatosura.
Ne presim se do të kemi një përballje të argumenteve me Serbinë mbi meritat e anëtarësimit tonë, por refuzojmë që të përfshihemi në një diskurs të ulët dhe të papranueshëm që promovon grindje mes feve dhe rritë mungesën e tolerancës fetare. U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mbështesin kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Ju mund ta bëni këtë edhe nëse ende nuk e keni njohur Kosovën.
Zv/kryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës,Thaçi në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka paralajmëruar edhe se: Ne gjithashtu do të kërkojmë anëtarësim në Interpol dhe në Këshillin e Evropës si dy mekanizma jetikë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut dhe jetën e njeriut.
KËRKOHET KONTRIBUTI I TË GJITHËVE PËR ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË UNESCO
Në një postim në ‘Facebook’, shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se anëtarësimi në UNESCO “është betejë e vështirë” dhe kërkon kontributin e të gjithëve.
“Kosova është e vogël, por zëri ynë do të ndihet dhe me çdo fuqi që kemi do te tentojmë ta anetaresojmë Kosovën në UNESCO. Kërkoj edhe nga ju të jepni kontribut. Të dërgoni letra, të qeta, pozitive, me fokus në nevojat tona në arsim, shkencë dhe kulturë. Behuni edhe ju ambasadorë të Kosovës!”, ka theksuar Thaçi. Ai ka postuar edhe foto: “Detaj prej Dokufest, nga një libër i diplomacisë sonë dedikuar anëtarësimit në UNESCO”.