– Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie: Siç ne amerikanët e kemi zakon të themi se “secila votë është e rëndësishme”, mesazhi im numër një për qytetarët e Kosovës është ju lutem dilni dhe votoni! Sa më e madhe që të jetë dalja, aq më i madh do të jetë mandati i qeverisë së ardhshme për të përcaktuar rrugëtimin tuaj të rëndësishëm përpara…-Në fund, ne nuk përkrahim asnjë parti dhe asnjë kandidat. Ne vazhdojmë të punojmë për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe me prosperitet e cila jeton në paqe me fqinjët e saj/
PRISHTINË, 19 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, sot pasdite, vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të parakohshme parlamentre të 11 qershorit 2017.
Fjala e Ambasadorit Delawie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, 19 maj 2017:Kryesuese Daka dhe të nderuar anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ju faleminderit për mikpritjen tuaj këtu sot. Jam i kënaqur për mundësinë që t’i drejtohem institucionit tuaj dhe të shpreh mbështetjen tonë për rolin kyç që e luani në organizimin e zgjedhjeve. Nuk është detyrë e lehtë, por ne kemi besim, siç e keni dëshmuar në vitin 2014, se KQZ është më se e përgatitur për këtë detyrë.Siç ne amerikanët e kemi zakon të themi se “secila votë është e rëndësishme”, mesazhi im numër një për qytetarët e Kosovës është ju lutem dilni dhe votoni! Sa më e madhe që të jetë dalja, aq më i madh do të jetë mandati i qeverisë së ardhshme për të përcaktuar rrugëtimin tuaj të rëndësishëm përpara. E ardhmja e vendit tuaj është në duart tuaja, dhe 11 qershori është dita kur ju mund të thoni fjalën tuaj – kjo është veçanërisht me rëndësi për ata që votojnë për herë të parë. Prandaj Hajde! Votoni! Ne kemi kënaqësinë të shohim që KQZ po vazhdon të rris vetëdijesimin e votuesve dhe të edukojë ata për rëndësinë e votës së tyre.Pasi që zgjedhjet janë absolutisht vitale për të siguruar një të ardhme të ndritshme që të gjithë qytetarët e Kosovës e meritojnë, unë po ashtu u bëj thirrje edhe të gjithë politikanëve që të zotohen se do t’i mbajnë zgjedhjet të lira nga mashtrimet dhe nga dhuna politike.Të qenit të lira nga mashtrimi fillon me lista të pastra të kandidatëve. Çdo person i njollosur nga korrupsioni ose ndonjë krim tjetër i rëndë nuk ka vend në listat e kandidatëve sipas mendimit tim. Kosova ka shumë udhëheqës të talentuar që nuk janë të përfshirë në këto aktivitete dhe ata e meritojnë tu jepet shansi. Prandaj unë i nxis fuqishëm udhëheqësit e partive që të pastroni listat tuaja dhe të pyesni veten nëse kandidatët vërtetë e meritojnë besimin e qytetarëve. A janë ata më të mirët që mund të ofroni?Qytetarët e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare po ashtu presin zgjedhje të besueshme në të cilat kandidatët, si dhe gazetarët që i mbulojnë ato, të jenë të lirë nga frikësimi. Fushatat kanë të bëjnë me atë se kush i ka idetë më të mira. Ato kanë të bëjnë me thirrjen në aspiratat më të larta të popullit të Kosovës, që të jetojnë në një vend dhe rajon paqësor dhe me prosperitet. Prandaj, ju bëj thirrje të gjitha partive dhe udhëheqësve politikë të refuzojnë dhe dënojnë të gjitha format e frikësimit.Suksesi i KQZ-së është përforcuar nga partneriteti i fuqishëm i Task Forcës për Zgjedhjet që ky institucion e ka me PZAP-në, policinë, prokurorët dhe gjyqtarët. Prandaj, dua t’i bashkohem thirrjes së Task Forcës bërë votuesve që të raportojnë çfarëdo shenje të ndonjë parregullsisë. Ne kemi parë në të kaluarën se si mashtrimi në zgjedhje mund ta dëmtojë Kosovën, por përpjekjet tuaja në vitin 2014 kanë kontribuar që të ketë një proces të drejtë që besoj se është e drejtë themelore e çdo qytetari. Kam besim se KQZ do të bëj maksimumin për të siguruar integritetin e votës.
Pasi që është shumë e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të përmbush standardet evropiane në mbajtjen e zgjedhjeve, Ambasada e SHBA-së do tu bashkohet organizatave të tjera ndërkombëtare në shpërndarjen e ekipeve të vëzhguesve nëpër vendvotime gjithandej Kosovës. Ne do të jemi në numër të madh në terren në ditën e zgjedhjeve dhe ekipi i ambasadës sime do të plotësohet me kolegë nga ambasadat e tjera të SHBA-së në rajon. Meqë ne besojmë se edhe besimi i qytetarëve në zgjedhjet e Kosovës është shumë me rëndësi, USAID-i është duke punuar që të financojë një program me Institutin Demokratik të Kosovës, i cili, përmes koalicionit Demokracia në Veprim, do të rekrutojë, trajnojë dhe shpërndajë një grup prej 2,800 qytetarëve vëzhgues.Këta qytetarë vëzhgues do të vëzhgojnë dhe mbajnë shënime për procedurat e regjistrimit të votuesve, votimit dhe numërimit të votave në vendvotime në ditën e zgjedhjeve, përveç vëzhgimit që do ta bëjnë para dhe pas ditës së zgjedhjeve. Përmes USAID-it, ne po ashtu kemi kënaqësinë të vazhdojmë të mbështesim partnerin tonë Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), për t’i ofruar mbështetje teknike dhe këshilluese Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Megjithatë, janë qytetarët e Kosovës ata që janë në pozitën më të mirë për të raportuar çdo parregullsi. Prandaj nëse shihni diçka, ju lutem thoni diçka!Në fund, ne nuk përkrahim asnjë parti dhe asnjë kandidat. Ne vazhdojmë të punojmë për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe me prosperitet e cila jeton në paqe me fqinjët e saj. Ju faleminderit edhe një herë për gatishmërinë tuaj për tu takuar me ne sot. Pres me padurim të përcjell suksesin tuaj dhe zgjedhjet me të drejta dhe më të lira të mbajtura ndonjëherë në Kosovë. Ju faleminderit shumë.