Ministri i Jashtem Hyseni në Bruksel: Çështjet politike nuk mund të lënë Kosovën të izoluar
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015/ Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit në Bruksel, pasditën e djeshme ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon. Me homologun e tij belg, ministri Hyseni ka biseduar për një numër çëzhtjesh më rëndësi siç janë liberalizimi i vizave, ekstremizimi dhunshëm, krimi i organizuar, bashkëpunimi i shtuar policor midis Kosovës dhe Belgjikës, si dhe ka folur për rëndësinë e antarësimit të Kosovës në Interpol.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ndërkohë që një mision vlerësues i Komisionit Evropian po qëndron këto ditë në Kosovë, ministri Hyseni theksoi nevojën e domosdoshme që qytetarët kosovarë të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian duke qenë se Kosova është vendi i vetëm i rajonit që ka mbetur i izoluar. Për më tepër, “derisa qytetarët e vendeve të largëta, sikurse Timori Lindor, lëvizin pa viza brenda shteteve të Schengenit, nuk ka kuptim që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin”, theksoi ministri Hyseni.
Ministri Jambon shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e sidomos rëndësinë e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar në format e tij të shumta, thekson njoftimi i ministrisë kosovare dërguar nga Brukseli.
Të dy ministrat u pajtuan që të punohet në hartimin e një marrëveshje të bashkëpunimit policor midis të dyja vendeve dhe u dakorduan që kjo të finalizohet shumë shpejtë me nënshkrimin e marrëveshjes. Gjatë ditës së neserme Ministri Hyseni do të ketë disa takime me përfaqësues të Parlamentit belg dhe organizatave të huaja.
Bëhet e ditur edhe se, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka vazhduar takimet me përfaqësues të shtetit belg gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.
Sot, ai është takuar me anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme në Parlamentin belg me të cilët ka bashkëbiseduar për çështje të liberalizimit të vizave, bashkëpunimit policor si dhe ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit.
Njoftimi i Ministrisë dërguar nga Brukseli bën të ditur se, ministri Hyseni u është përgjigjur kureshtjes lidhur progresin që ka bërë Kosova në shumë këto rrafshe.
Ai ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës në heqjen e regjimit të vizave për Kosovën tani kur misioni i Komisionit Evropian po bën vlerësimin e përmbushjes së kritereve. “Çështjet politike nuk mund të lënë Kosovën të izoluar, e sa i përket kritereve teknike Kosova tashmë i ka përmbushur ato”, theksoi ministri Hyseni gjatë takimit.
Gjithashtu, ai kërkoi përkrahjen në fushën e bashkëpunimit policor që do të ishte shumë më efikas për rajonin dhe më gjerë në rast se Kosova bëhet pjesë e Interpol-it.
Gjatë takimit më anëtarë të Komisionit u vlerësua lartë përkrahja e vazhdueshme e Belgjikës si dhe bashkëpunimi i ngushtë që të dyja vendet kanë pasur.