-Në Prishtinë, konferenca rajonale “Lidhja e Rinisë me Integrimet Evropiane”/
-Rinia, prijatare në rrugën evropiane të Kosovës/
PRISHTINË, 8 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Dita e Evropës – 9 maji 2017 do të shënohet me aktivitete edukative dhe kulturore në mbarë Kosovën dhe me çmimin “Evropiani i Vitit”.
Këtë e bën të ditur Zyra e BE-së në Kosovë, e cila ka ftuar qytetarët “të marrin pjesë në koncerte, në artin e rrugës dhe në garën në basketboll (streetball), përgatitjen e librave nga të rinjtë, shfaqjen e dokumentareve dhe programet interaktive në komuna të ndryshme”.Një numër aktivitetesh edukative, sportive dhe kulturore do të mbahen me rastin e Ditës së Evropës 2017 në mbarë Kosovën. Qytetarët janë të ftuar të marrin pjesë në koncerte, në artin e rrugës dhe në garën në basketboll (streetball), përgatitjen e librave nga të rinjtë, shfaqjen e dokumentareve dhe programet interaktive në komuna të ndryshme.
Si pjesë e festimeve të Ditës së Evropës, BE-ja në Kosovë do të japë për herë të dytë çmimin e vet “Evropiani i Vitit”, për të vlerësuar një individ/institucion për promovimin e idesë evropiane në Kosovë. Të nominuarit për çmimin e vitit 2017 janë: Erzen Shkololli, artist dhe kurator, Baleti i Kosovës dhe Grupi për Studime Ligjore dhe Politike. Çmimi do të prezantohet nga Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së dhe nga Majlinda Kelmendi, Kampionja Olimpike, Botërore dhe Evropiane e Xhudos dhe fituesja e parë e çmimit “Evropiani i Vitit”.
Aktivitetet qendrore do të fillojnë në orën 12:00 më 9 maj 2017 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ndërsa axhenda është kjo: 11:30 Prezantimi i librave mbi BE-në, të përgatitur nga nxënësit e Gjakovës -Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë; 12:00 Fillimi i aktiviteteve kryesore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë; 13:00 Inaugurimi i aktiviteteve të artit të rrugës – murali mbi edukimin “Artistët pikturojnë qytetin”; 19:30 Prezantimi i çmimit “Evropiani i Vitit”, Muzeu i Kosovës, Prishtinë.
Ndërkohë, Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, me mbështetjen e GIZ-it, në kuadër të Javës së Evropës, ka organizuar sot në Prishtinë konferencën rajonale “Lidhja e Rinisë me Integrimet Evropiane”, në të cilën morën pjesë të rinj nga gjashtë vende të Ballkanit: Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Njomza Emini, në fjalën e saj para të pranishmëve, u fokusua te rinia dhe perspektiva e saj, duke potencuar nevojën e përfshirjes më të madhe të të rinjve në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit.
“Rinia është prijatare në rrugën evropiane të Kosovës, si alternativa e vetme e të ardhmes së saj”, u shpreh ajo.
Kryetarja e komisionit tha se të rinjtë tanë aktualisht nuk qëndrojnë në një pozicion shumë të favorshëm, përderisa papunësia në mesin e tyre është e lartë dhe ndryshe nga bashkëmoshatarët tyre në rajon dhe gjetkë, ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm në vendet anëtare të BE-së.
“Përderisa jemi ne dhe institucionet tona të cilat duhet të punojnë më shumë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe t’u japim motiv për të studiuar dhe për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ka shumë gjëra që edhe Bashkimi Evropian mund të bëjë për ta afruar rininë tonë me procesin e integrimit evropian dhe me qytetarët e BE-së”, theksoi deputetja Emini.
Në vazhdim, ajo evidentoi një varg iniciativash, siç është themelimi i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë apo edhe skema e të rinjve (YoungCellScheme), të cilat kanë ndikuar pozitivisht në hapjen e dyerve për të rinjtë e Kosovës, duke u mundësuar atyre të ndjekin studimet në universitete te njohura në Evropë. Emini theksoi nevojën që iniciativa të tilla të ndërmerren edhe në të ardhmen.
Konferenca vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadës Gjermane, si dhe përfaqësuesve të rinj nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilët shkëmbyen ide dhe pikëpamjet e tyre lidhur me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit dhe rolit të rinisë në këtë proces.
Dita e Evropës, 9 Maji, është festë zyrtare, përcakton Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, kurse është shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 9 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.