PRISHTINË, 15 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, në fshatin Dushkajë (ish-Dabishec) për herë të parë u organizua aktiviteti për nder të takimeve me bashkatdhetarë të fshatrave Dushkajë, Gjelbrishtë dhe Murrizajë. Për dy ditë rresht u organizuan aktivitete të shumta nga fusha e kulturës, artit, sportit dhe garat tradicionale me pjesëtarë të diasporës nga kjo trevë.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Diasporës në qeverinë e Kosovës, Valon Murati, i cili në fjalën përshëndetëse i falënderoi organizatorët dhe të pranishmit, të cilët kishin ardhur me qindra për këto takime.
“Prania juaj në numër kaq të madh tregon përkushtimin tuaj për të qenë së bashku në festën ‘Ditët e Diasporës’. Përmes këtyre manifestimeve, po mundohemi të kontribuojmë në ruajtjen e identitetit, si dhe t’ju ofrojmë një laramani të aktiviteteve, për t’ju treguar se jeni pjesë e atdheut”, tha ministri Murati.
Dita e parë ishte e mbushur me aktiviteteve kulturore, poetike dhe program artistik. Ky program filloi me nderimin e dy dëshmorëve të kësaj ane, Azem Babiqi dhe Sali Matoshi. Dita e dytë u shënua me plot aktivitete në disiplina të ndryshme sportive, si vrapim, futboll, boks, shah, hedhje e gurit etj.
Ky aktivitet, i cili u mbështet nga Ministria e Diasporës dhe Komuna e Prishtinës, duke u bazuar në interesimin e madh të pjesëmarrësve, mëton të bëhet tradicional./b.j/