-Raportohet plotësimi i tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave -Ratifikimi në Parlamentin Evropian i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së vlerësohet një sukses shumë i madh – Kuvendi i Kosovës ende pa datë për seancën e parë të sesionit pranveror, ndërsa e presin shumë punë e së shpejti zgjedhja e Presidentit të Republikës – Opozita shprehet kundër thirrjes së seancave plenare dhe paralajmëron protestë edhe në një ditëfeste tjetër, në 17 shkurt/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Janar 2016/ Raportimi lidhur me plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave është nesër në axhendën e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, i cili ka nisur këtë javë sesionin pranveror, por ende nuk është ftuar seanca e parë plenare e sesionit të ri edhe pse u mbajt të premtën mbledhja e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare.
Për raportim ëshë ftuar ministër i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili në 15 janar 2016 i ka dorëzuar Bashkimit Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave.
“Ky input, përmban rezultate dhe të arritura konkrete përgjatë tre muajve të fundit, të cilat pritet të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së”, ka theksuar me këtë rast qeveria e Kosovës.
Qeveria pret që në bazë të zotimit dhe dinamikës së prezantuar nga Komisioni Evropian, me rastin e publikimit të fundit të raportit të tyre në18 dhjetor 2015, të realizohet vizita e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve.
“Kjo do t’i hapë rrugë Komisionit Evropian për t’i propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Ministria e Integrimit Evropian.
“Bashkimi Evropian nuk e ka më asnjë arsye politike që Kosovës mos t’i jap liberalizimin e vizave”, është shprehur kryeministri Isa Mustafa në një takim me kryetarët e komunave.
Në Bruksel, në 21 janar, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, mori pjesë në panelin diskutues me temë “Liberalizimi i vizave për Kosovën-Lëvizja nga izolimi në integrim”, organizuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Qendra Evropiane për Politika në Bruksel (EPC).
Gjatë prezantimit të tij, para diplomatëve evropianë, shoqërisë civile e mediave ministri Çollaku, shpjegoi në mënyrë kronologjike rrugëtimin e Kosovës drejtë përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri Çollaku informoi të pranishmit se ditë më parë kishte dorëzuar në Bashkimin Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve të fundit në këtë proces dhe se tani pret veprime të shpejta nga Komisioni Evropian.
“Ky input përfshinë të arritura dhe rezultate të qarta që janë arritur në tre muajt e fundit nga institucionet kosovare në adresimin e rekomandimeve të fundit të procesit të liberalizimit të vizave, për të cilat presim vlerësim pozitiv nga institucionet e BE-së. Ne presim që vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së Dimitris Avramopoulos në Kosovë të përmbyllet suksesshëm dhe t’i hap rrugën procedurave për heqjen e vizave për kosovarët. Kjo duhet të ndodhë për faktin se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me udhërrëfyes dhe është plotësisht e gatshme për këtë proces”, ka theksuar ministri i integrimit Evropian.
Një zhvillim tjetër sumë i rëndësishëm për Kosovën këtë javë ishte ratifikimi në Parlamentin Evropian i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015, në Strasburg, nga kryeministri Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në 2 nëntor 2015.
Qeveria kosovare ka vlerësuar se, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është një sukses shumë i madh i Kosovës është një mundësi e shkëlqyer për fuqizimin e gjithanshëm të dialogut politik, të marrëdhënieve tregtare dhe të bashkëpunimit të shumanshëm me Bashkimin Evropian.
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e saj për thellimin e mëtejshëm të reformave, për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetit, në partneritet të plotë me vendet mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera të BE-së.
Në 2 nëntor 2015, ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës u miratua me më shumë se dy të tretat e votave, me 86 vota pro të parlamentit 120 anëtarësh, por pa praninë e opozitës së bashkuar të tre partive me gjithësej 31 deputetë, e cila me këtë rast nuk bllokoi seancën, ndërsa u largua nga salla plenare pasi paraqiti qëndrimet e veta.
Në 22 janar 2016, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, mbajti mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare. Në mbledhe u miratua kërkesa e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen Trepça. U bë e ditur gjithashtu, se edhe qeveria e Kosovës e ka mbështetur këtë iniciativë dhe ka shprehur gatishmëri që sipas nevojës, të marrë pjesë në financimin e këtyre studimeve.
Kryesia dhe shefat e grupeve parlamëntare nuk përcaktuan ndonjë datë për seancë plenare, ndërkohë që Kuvendin, me shumë humbje kohe edhe pas zgjedhjeve edhe pas konstituimit, e presin shume punë. Së shpejti duhet të ndodhë edhe zgjedhje e Presidentit të Republikës së Kosovës, që sipas Kushtetutës bëhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë. “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në Kushtetutë.
“Mandati im përfundon më 6 prill 2016”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në prag të festës së Vitit të Ri, në një intervistë në shtypin e Prishtinës, i cili në nga fillimi të këtij viti paralajmëronte se “PDK e LDK duan votimin e Thaçit për president më 11 shkurt”.
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, në një aktivitet partiak në komunën e Shtimes këtë fundjavë ritheksoi se marrëveshja e koalicionit PDK-LDK, që përfshinë edhe zgjedhjen e tij president do të respektohet. Po në këtë aktivitet, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se Hashim Thaçi do të jetë President i Republikës së Kosovës.
Por, Kuvendi i Kosovës, i zgjedhjeve të parakohëshme të 8 qershorit 2014 e i konstituuar me vonesë pas plot 6 muajëve, prej më shumë se 4 muajsh, nga fillimi i sesionit vjeshtor me seancën e 17 shtatorit 2015, bllokohet nga opozita, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, edhe me gjuajtje gazi lotsjellës në seanca e jashtë tyre, pas të cilave zhvillime ka pasur edhe deputetë opozitarë të arrestuar, 13 sipas opozitës, ndërkohë që ka ndodhur edhe lirimi i tyre.
Situata e “ngrirë” e Kuvendit të Kosovës që prej fundverës 2015 vazhdon edhe këtë dimër me acar, ndërkohë që opozita ka ritheksuar se “thirrja eventuale e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”, ndërsa ka paralajmëruar protestën e ardhëshme “kundër ‘Zajednicës’ (bashkësisë së komunave serbe), kundër Demarkacionit me Malin e Zi, dhe për largimin e kësaj qeverie që e ka shkelur Kushtetutën” për datën 17 shkurt, kur është 8-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, edhe në një ditëfeste tjetër pas asaj të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit e të pavarësisë së Shqipërisë, të zhvilluar në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës është shprehur se, “Kauzat e opozitës kanë dalë që janë të paqëndrueshme, sepse Gjykata Kushtetuese ka përfunduar se Asociacioni duhet të themelohet, sepse është kategori juridike në Kosovë dhe duhet të bëhet sipas marrëveshjes së parë, ndërsa Departamenti i Amerikan i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konstatuar se vija kufitare me Malin e Zi është përcaktuar në vijën në të cilën është shpallur Pavarësia e Republikës së Kosovës”. Qeveria është shprehur pro “që të formohet një komision ndërkombëtar në mënyrë që të sqarojë çdo dyshim dhe çdo pretendim lidhur me këtë vijë kufitare dhe ajo pastaj të zgjidhet në bashkëpunim me Malin e Zi”.
Në këtë vit të dytë me protesta të opozitës, në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas tre partive opozitare, ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në 28 nëntor 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.