-Urojnë liderë institucionalë, politikë e fetarë. Në Manastirin e Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, në kremte ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett/
-Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë një nga festat zyrtare të përcaktuara me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 7 Janar 2019/ Krishtlindjet ortodokse kremtohen edhe në Kosovë, i urojnë liderë institucionalë, politikë e fetarë.
“Të gjithë besimtarëve ortodoksë u shpreh urimet më të mira në ditën e Krishtlindjes së tyre. Le të ketë edhe më shumë paqe, lumturi dhe begati në familjet e tyre. Gëzuar kjo ditë e shenjtë”, është mesazhi i presidentit të Republikës, Hashim Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj u ka uruar për shumë mot Krishtlindjet ortodokse të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët shërbejnë në misione të ndryshme në vend, që festojnë sipas kalendarit julian.“Kjo festë është nxitje për promovimin e vlerave njerëzore, si mishërim i hyjnores. Realiteti shumëfetar i shoqërisë sonë duhet të na shërbejë si motiv shtesë që ta ndërtojmē një shtet, që garanton më shumë shpresë, mirëqënie ekonomike dhe siguri për qytetarët. Kremtofshi në paqe, me familjet Tuaja, me mirësi e begati”, është shprehur kryeministri i Kosovës.
Poashtu, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë më të madhe opozitare, Isa Mustafa, të gjithë qytetarëve të besimit ortodoks ua uron Krishtlindjen.“Në këtë ditë feste familjet e juaja të jenë të mbushura me shëndet, begati dhe shumë dashuri. Çdo festë, edhe kjo le ta gjejë popullin e Kosovës më të bashkuar prë një ardhme të përbashkët plot begati”, thekson ai në mesazhin e urimit.
Mbrëmjen e djeshme në Manastirin e Graçanicës, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, në kremte ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili tha se kjo ishte Krishtlindja ortodokse e parë për të në Kosovë.”Është mrekulli të jesh këtu, këtu jam me bashkëshorten time. Kjo është Krishtlindja jonë e parë në Kosovë dhe është privilegj që jemi këtë mbrëmje në Graçanicë. Thjeshtë, u dëshiroj të gjithëve Krishtlindje të lumtur dhe paqe në vitin 2019”, citohet ambasadori.Në Kosovë pjesë e besimtarëve ortodoksë është komuniteti serb, i cili përbën 1.47 % të banorëve sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, kur u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, prej tyre 92.93 % shqiptarë, pa përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrimin e popullsisë të katër komunave veriore të Kosovës, ku serbët e kanë refuzuar.Në zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë numri i votuesve në këto katër komuna veriore me shumicë serbe, sipas regjistrit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte: Mitrovicë e Veriut – 21.797, Leposaviç – 17.747, Zveçan – 9.069 e Zubin Potok – 8.400.
Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë një nga festat zyrtare të përcaktuara me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para afër 11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së.
Në Kosovë, që ka gjithësej 38 komuna, nga10 komunat me shumicë serbe 5 janë të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Paketës Ahtisaari. Po sipas kësaj Pakete, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.