-Mesazhe të shumëta me ngushëllimet më të sinqerta e vlerësimet më të larta/
PRISHTINË, 17 Qershor 2018-Gazeta DIELLI/ Ka ndërruar jetë Hilmi Haradinaj, një burrë i madh i kombit shqiptar dhe i një familje të madhe që i dha shumë Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në natën mes 16 e 17 Qershorit 2018 në një njoftim shkruan:
“Të dashur miq,
Ju njoftoj se sonte, pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë babai ynë, Hilmi Haradinaj.
Varrimi i të ndjerit bëhet të hënën, më 18 Qërshor, ora 14:00, në Gllogjan.
Të ndjerit Dritë i pastë shpirti!
RH”.
Drejtues e përfaqësues institucionalë e politikë, organizata e personalitete të Kosovës e të trojeve tjera shqiptare dhe diaspora jonë shprehin ngushëllimet më të sinqerta me vlerësimet më të larta.
Mes shumë mesazheve të ngushëllimit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet: “Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi. Ishte një burrë i urtë, i matur dhe atdhetar i devotshëm, që Kosovës i dha shumë. Baca Hilmi përballoi shumë sfida në jetë”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përkujton: “E njoha në ditët e vështira për Kosovën, atëherë kur së bashku me djemtë e tij e qindra të tjerë nga e gjithë Kosova po krijonim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Konaku i bacës Hilmi ishte konak i lirisë së Kosovës”.Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës i shpreh ngushëllimet më të thella Kryeministrit Haradinaj dhe gjithë familjes së tij për ndarjen nga jeta të babit, Hilmi Haradinaj. “I qofte i lehtë dheu këtij burri të fortë që kaloi shumë sfida dhe dhimbje në jetën e tij”, thekson mesazhi./b.j/
***
Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” dhe gazeta e sai “DIELLI” i percjellin ngushellimet me te thella Kryeministrit Haradinaj dhe Familjes Haradinaj per humbjen e njeriut te tyre te dashur! I pushofte shpirti ne Paqe!