-Kryetari i komunës së Gjilanit rreth Asociacionit të komunave serbe në Kosovë-/PRISHTINË, 25 Gusht B.Jashari/.-Krijimi i një korridori territorial është jashtëzakonisht problematik, shprehet kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka qenë ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa sot në Bruksel Kosova dhe Serbia në nivel kryeministrash po negociojnë krijimin e Asociacionit-Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Është koha që të përmbyllet tema e të ashtuquajturit Asociacion i Komunave me shumicë serbe, të cilën serbët është hera e tretë që e nxjerrin në tavolinën e bisedimeve që nga koha e UNMIK-ut dhe ish-kryeadministratorit Mihail Steiner, bisedimet e Vjenës dhe tani në Bruksel. Nëntë vite pas bisedimeve të vështira të Vjenës për status final, ku decentralizimi ishte njëra nga shtyllat kryesore të procesit, kërkesa themelore dhe kryesore e delegacionit serb ka qenë i ashtuquajturi Asociacioni i Komunave Serbe me të drejta ekzekutive, të cilin kemi arritur ta faktojmë që nuk mund të jetë i tolerueshëm brenda Kornizës Kushtetuese të Kosovës dhe territorit të Republikës së Kosovës për arsye se krijon probleme në vendosjen e pushtetit të tretë në Kosovë, që çon drejt një autonomie territoriale dhe politike për qytetarët që jetojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, e që është definuar si pjesa veriore e Mitrovicës së Kosovës ku hyjnë edhe disa Komuna të tjera”, thekson Haziri.
Problemi i dytë, vijon ai, është që ky korridor lidhet me korridore të komunave që janë me shumicë serbe, e që depërton përmes brendësisë së Kosovës në Juglindje të Kosovës dhe lidhet territorialisht me Serbinë.
“Krijimi i një korridori territorial që kontrollohet me të drejta ekzekutive nga i ashtuquajturi Asociacion i Komunave prej veriut në Leposaviç (veri) e deri në Dheun e Bardhë në Kamenicë (juglindje), është jashtëzakonisht problematik në kuptimin zhvillimor, në kuptimin e planifikimit hapësinor dhe në kuptimin e funksionalitetit të shtetit. Edhe sot arsyet janë të njëjta, faktet janë të njëjta dhe besojmë shumë që nuk do të ndryshohet ky qëndrim i Republikës së Kosovës!”, shkruan Haziri në ‘Facebook’.
Haziri në qershor të vitit 2001, u zgjodh kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në këtë funksion, u zgjodh edhe udhëheqës i delegacionit të komunave të Kosovës në Kongresin e Pushtetit Lokal dhe Regjional në Strasbourg (Këshilli i Europës). Në dhjetor të vitit 2004, u zgjodh ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Gjatë viteve 2005-2005 ka qenë pjesë e grupit politik në Bisedimet e Vjenës. Prej 8 Mars 2006-2008 është zgjedhur edhe zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës. Haziri është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Aktualisht është zëvendëskryetar i LDK-së dhe kryetar i Degës në Gjilan të kësaj partie.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen eStatusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.