Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bën të ditur se me rastin e identifikimit të mbetjeve mortore të 46 personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 –’99 në Kosovë, sot në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzim i mbetjeve mortore të 27 personave të identifikuar, të rasteve nga komuna e Suharekës, tek familjarët e tyre.
Nesër, në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzimi tek familjarët e tyre i mbetjeve mortore të 19 personave të identifikuar, të rasteve nga Krusha e Vogël.
Ndërsa ceremonitë e rivarrimit, do të organizohen në 26 mars 2014, me rastin e shënimit të 15 Vjetorit – të Masakrave në fshatrat e Prizrenit dhe Suharekës.
Kosova më se 15 vjet pas luftës vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të më se 1700 qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë rivendosur nga familjarët në këtë muaj marsi në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë, në sheshin qendror të Prishtinës.
Qeveria e Republikës së Kosovës u ka bërë thërrje autoriteteve të Serbisë dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtrojë trysni tek autoritetet serbe për ofrimin e informacioneve për fatin dhe vendndodhjen e personave të rrëmbyer dhe të zhdukur, gjatë luftës.