-Kuvendi i Kosovës të enjten dy interpelanca të kryeministrit Mustafa, demarkacioni s’është në axhendë/
-Në Bruksel kanë nisur bisedimet 4 ditëshe për kodin telefonik/
PRISHTINË, 26 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Dy interpelanca të kryeministrit Isa Mustafa do të jenë në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, të enjten, të dytën ne sesionin vjeshtor, por jo edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i cili ishte në rend dite, por u tërhoq nga qeveria në seancën e fundit të sesionit pranveror, në 1 shtator, ku mungonte grupi parlamentar i Listës Serbe dhe opozita deklaronte se koalicioni qeverisës për miratim nuk i kishte së paku 80 votatat e duhura nga parlamenti 120 anëtarësh.Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e sotme me shefat e grupeve parlamentare, përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit, e cila do të mbahet në 29 shtator, në orën 10:00.Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në axhendën e seancës plenare, Kryesia vendosi që të jetë: Interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri (kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje), i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror të Republikës së Kosovës. Po ashtu, në këtë seancë, është paraparë edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Mustafa, sipas kërkesës së deputetit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.Këto dy interpelanca ishin në axhendën e Kuvendit të Kosovës edhe në seancën e 1 shtatorit, në pikat 4 dhe 5, por u tërhoqën nga vetë kërkuesit – grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe u kalua më shpejtë në pikën e demarkacionit, që ishte e 6-ta.Në seancën plenare të enjten, sipas kërkesës së Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, do të shqyrtohet edhe Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.
Do shqyrohen edhe dy Propozim-vendimeve të qeverisë së Kosovës, sipas të cilave konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për dy kompani: “Envidity Energy Kosova LLC” dhe “Sharr Cem dhe Titan America”.
KOSOVË-SERBI, NË BRUKSEL KANË NISUR BISEDIMET 4 DITËSHE PËR KODIN TELEFONIK
Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka nisur takimet për telekomin që do të zgjasin katër ditë, deri në 29 shtator.“Tema kryesore dhe e vetme e këtyre takimeve është kodi telefonik për Kosovën dhe bisedimet do të fokusohen për finalizimin e gjithë hapave, në mënyrë që Kosova ta marr kodin telefonik shtetëror +383 nga ana e ITU-së”, u bë e ditur pak më parë në njoftimin e dërguar. “Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që marrëveshja për telekomin do të zbatohet ashtu siç palët janë marrë vesh më herët dhe se Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje palëve për zbatim të asaj çka janë marrë vesh në Bruksel”, deklaroi ministrja Tahiri.