-Në mbledhjen e udhëhequr nga Petrit Gashi, Kryesues i Bordit, u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të AKP-së/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Dhjetor 2015/ Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në përbërje të re, sot ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, pak ditë pasi emërimit të Bordit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje të udhëhequr nga Petrit Gashi, Kryesues i Bordit, u diskutua për një varg çështjesh të përcaktuara me axhendë bazuar në mandatin ligjor të AKP-së.
Bordi në mënyrë unanime miratoi vendimin për bartjen e shumës prej 61.3 milionë euro nga fondet e mirëbesimit të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim në buxhetin e Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihet me Ligjin e AKP-së, për nevoja të shfrytëzimit nga ana e qeverisë së Kosovës. Këto mjete janë ndarë nga fondet e përcaktuara si tepricë prej procesit të likuidimit të 125 ndërmarrjeve shoqërore.
Gjithashtu, Bordi diskutoi lidhur me zhvillimet e fundit në ndërmarrjen shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së, dhe në këtë kuadër shqyrtoi, dhe me pajtimin e të gjithë anëtarëve prezentë të Bordit miratoi kërkesën e ndërmarrjes Trepça për shitjen e koncentratit të plumbit dhe zinkut.
Në këtë takim, anëtarët e Bordit të Drejtorëve u zotuan se do të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm gjatë ushtrimit të mandatit si anëtarë të këtij organi, gjithnjë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Ligjin e AKP-së dhe ligjet e tjera në fuqi, me synimin që t’i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të vendit.
Bordi përbëhet nga tetë anëtarë: Petrit Gashi, Kryesues dhe drejtorët Bajram Zejnullahu, Hamdi Jaha, Hasime Mazreku-Krasniqi, Haxhi Arifi, Ismail Januzi, Ranko Djokic dhe Skender Komoni.
Kjo ishte mbledhja e 70-të e Bordit të Drejtorëve që nga themelimi i Agjencisë, ndërsa mbledhja e ardhshme do të mbahet në pjesën e dytë të muajit janar 2016.
Për vitin 2016, menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka përcaktuar 20 objektiva kryesore të punës, të cilat do të bëhen të ditura pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve.
Në 17 dhjetor, Kuvendi i Kosovës në seancë plenare të përmbylljes së sesionit vjeshtor bëri emërimin e 8 anëtarëve-drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi miratoi, me procedurë të përshpejtuar, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për këtë agjenci.
Ndërkohë, gjatë vitit 2015 Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka realizuar asnjë shitje të aseteve për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve.
Në konferencën për shtyp e pritjen e fundvitit, në 28 dhjetor, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Avni Jashari, prezantoi punën në 2015-tën, ndërsa theksoi përgatitjen e planit të punës lidhur me funksionimin në të ardhmen të Agjencisë në periudhën 2016-2018.