-Prof. dr. Ismet Salihu:Krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale/
Nga Behlul Jashari/.-PRISHTINË, 7 Nëntor 2015/ Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer një numër të madh të krimeve ndaj popullatës civile, kanë vrarë rreth 12 mijë shqiptarë, mijëra i kanë zhdukur e rreth 1 milion i kanë dëbuar. Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në publikimet e tij dëshmon edhe se, në Kosovë janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Në prezantimin e Monografisë – Personat e zhdukur, të autorëve prof. dr. Ismet Salihu dhe prof. dr. Pajazit Nushi, botimi i së cilës, në dy gjuhë shqip dhe anglisht, u përurua nga Instituti, u theksua se “krimi i zhdukjes së personave është një ndër krimet më të rënda të parapara me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet nacionale”.
“Ky krim shtë shumë i rëndë jo vetëm për viktimën, por edhe për familjen e tij dhe për tërë komunitetin. Për më tepër, ky krim është dhe më i rëndë se vrasja, sepse humben, zhduken edhe mbetjet mortore”, tha profesor Salihu, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. “Në Konventat Evropiane, për të zhdukurit thuhet se viktima të këtij lloj krimi shumë të rëndë nuk janë vetëm personat e zhdukur, por edhe familjarët e tyre”, theksoi ai.
Në Kosovë, sipas studimit që është bërë nga hulumtuesit e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, deri në fund të majit të vitit 2015 janë ende 1229 persona për fatin e të cilëve nuk duhet dhe konisderohen të zhdukur. Ndërsa, sipas bazës së të dhënave të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, deri në fund të majit 2015 konsiderohen akoma të zhdukur edhe 1653 persona. Dallimi prej 424 personave të zhdukur është nga fakti se, sipas Statutit dhe rregulloreve të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, krime të luftës përfshirë zhdukjet konsiderohen ato që kanë ndodhur deri në 12 qershor 1999 – në ditën e përfundimit të luftës e çlirimit të Kosovës.
Nga 1229 përsonat e zhdukur, 173 janë femra, 1056 meshkuj, 104 janë nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, i themeluar para katër viteve, këtë javë bëri promovimin e katër botimeve të tij: Sfidat e hulumtimit të krimeve të luftës në Kosovë 1998-1999 / Challenges of researching ëar crimes in Kosovo 1998/1999, Prishtinë, 2013; Prof. Dr. Ismet Salihu – Prof. Dr. Pajazit Nushi, Personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998/99 /Missing persons in Kosova during the ëar 1998/99, Prishtinë, 2015; Prof. Dr. Fejaz Drançolli, Monumentet e shkatërruara në Kosovë 1998/99 /Destroyed monuments in Kosova 1998/99, Prishtinë, 2015; Ilir Ulaj, Vrasjet në Kosovë 1998-1999 (Vëllimi i Parë) / Killings in Kosova 1998-1999” (First volume), Prishtinë, 2015.