-Ministri Çollaku në Hungari për axhendën evropiane/
PRISHTINË, 8 Nëntor 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Lituani, me ftesë të kryeministrit të Republikës së Lituanisë, Algirdas Butkeviçius.
Gjatë qëndrimit në Vilnius, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga ministrat Arban Abrashi dhe Mahir Yagcilar, do të zhvillojë takime me kryeministrin e Butkeviçius, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe personalitete të tjera në Lituani.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, do të zhvillojë takime të ndara me kryetaren e Parlamentit të Lituanisë, Loreta Grauzhiniene, dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkeviçius, bë të ditur njoftimi i dërguar nga Vilnius.
Gjatë takimeve të kryeministrit Isa Mustafa me udhëheqësit e shtetit të Lituanisë, do të bisedohet për fuqizimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, si dhe përkrahjen e Lituanisë për proceset integruese evropiane të Kosovës, si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
Pavarësinë e Kosovë të shpallur në 17 shkurt 2008 Lituania e ka njohur në 6 maj po të atij viti historik.
Ndersa, në vazhdimësi të vizitave zyrtare dhe intensifikimit të komunikimit me shtetet anëtare të BE-së, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, udhëton sot për në Hungari, ku do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të këtij shteti, Peter Szijjarto.
Me ministrin hungarez do të diskutojë për axhendën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave si dhe vazhdimin e bashkëpunimit bilateral mes të dyja shteteve./b.j/