-Ndonëse në mungesë kuorumi kryesuesi i seancës lejoi deklarime, nëpërmjet të cilave deputetët e pranishëm shfaqën pikëpamjet e tyre/
PRISHTINË, 14 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Në mungesë kuorumi, edhe sot ka dështuar vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.“Për vazhdimin sot të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk ka kuorum”, konstatoi kryesuesi Adem Mikullovci në fillim dhe dha pushim për të pritur ardhjen eventuale të deputetëve tjerë, ndërkohë që koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit PDK-AAK-Nisma kishte paralajmëruar mospjesëmarrje. “Janë 55 deputetë, nuk ka kuorum, mungojnë deputetët e PAN dhe të komuniteteve pakicë, propozoj 15 minuta pushim, të shohim cka do bëjmë mëtutje”, tha ai.
Edhe më tej në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ishin më pak se gjysma e deputetëve, megjithatë u bënë deklarime në foltore, ku përfaqësuesi i LVV propozoi që në seancë të zhvillohet debat politik për situatën, ndërsa përfaqësuesi i koalicionit të LDK përshendeti deklaratën e djeshme të Quint-it.Shtetet e Quint-it në një deklaratë dërguar dje nga Ambasada Amerikane në Prishtinë shpreheshin të brengosura me situatën politike në Kosovë dhe theksonin se, “një parim primar dhe i rëndësishëm është se deputetët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës duhet të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të lejojnë fillimin e punës së tij”.
Kryesuesi Mikullovci paralajmëroi edhe një takim të mërkurën me koalicionin PDK-AAK-Nisma, që “t’i pyes kur në seancë do dalin me propozimin për kryetar Kuvendi”. Seanca pa kuorum vazhdoi me deklarata deputetësh në foltore.Ndonëse në mungesë kuorumi kryesuesi i seancës lejoi deklarime, nëpërmjet të cilave deputetët e pranishëm shfaqën pikëpamjet e tyre.Kryesuesi i seancës, duke pasur parasyshë kërkesën e koalicionit PDK-AAK-Nisma, propozoi që ditën e mërkurë, në orën 10:00, të realizojë një takim konsultativ me të gjitha grupet parlamentare.
Pritet që pas këtij takimi të caktohet data e vazhdimit të seancës. /b.j/