-Pas tre ndërprerjeve me gaz lotsjellës gjatë ditës së sotme-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Shkurt 2016/ Kuvendi i Kosovës sapo nisi vazhdimin e seancës plenare, pak pas orës 15:00, pa deputetët e opozitës të përjashtuar e të larguar me dhunë nga salla plenare, derisa gjatë këtyre zhvillimeve një deputete është lënduar e tre deputetë opozitarë janë arrestuar. Një deputet i opozitës, Ilir Deda i VV është brenda vazhdimit të seancës dhe në fjalën që iu dha po bën apel për tejkalimin e situatës së përplasjeve politike në Kosovë, për të parandaluar zhvillimet e mëtejme në dëm të Kosovës. Deputeti Deda pas deklaratës u largua nga seanca, ndërsa në diskutimet brenda seancës ka angazhime të deputetëve të pozitës për dialog me opozitën.Kuvendi paradite nuk nisi në kohën e paracaktuar, sot në orën 10:00, seancën e parë plenare në sesionin pranveror, me 22 pika në axhendë, e cila pas një vonese është ndërprerë që në fillim dhe tre herë radhaz me hedhje gazi lotsjellës nga opozita deri rreth mesditës.
Deputetët kanë shkuar drejt sallës plenare duke kaluar kontrolle të rrepta në hyrje, ndërsa brenda e jashtë Kuvendit kishte forca të shtuara të sigurisë, përfshirë Policinë Speciale, e rreth Kuvendit grumbullime qytetarësh në përkrahje të opozitës.
Gazi lotsjellës i opozitës “shpërtheu” në sallën plenare që në fillim të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku nëpër tym, sipas kryetarit Kadri Veseli, u miratua një deklaratë kundër dënimit nga organet gjyqësore serbe
të e eprorëve të UÇK-së, ndër të cilët edhe dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Anton Çuni dhe Rrustem Berisha. Në votimin që u bë në rrethana të jashtëzakonshme në sallën plenare nëpër mjegullën e lotsjellësit deklarata u miratua me 79 vota pro, sipas kryeparlamentarit Veseli.
Pasoi ndërprerja e parë e seancës, e që në fillim të saj, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës lexoi një deklaratë me qëndrimet e opozitës për dorëheqjen e largimin e qeverisë dhe për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“205 mijë qytetarë të peticionit, qindra mijëra qytetarë të protestave, shoqëria civile, intelektualët, i kanë shpallur ‘Zajednicën’ e demarkacionin të vdekura.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur këtë regjim antikushtetutes”, është shprehur kryetari i VV, Ymeri.
“Deputetët në shërbim të Republikës dhe të vullnetit të qytetarëve të shprehur në protesta. Nuk lejohet të mbahet as kjo seancë”, deklaroi në ato momente Lëvizja Vetëvendosje, sibjekti më i madh opozitar.
Kryetari i PDK-së, i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, zëvendëskryministri Hashim Thaçi, në një deklaratë po në ato momente jashtë sallës së Kuvendit tha se për vazhdimin e seancës së ndërprerë nga lotsjellësi i opozitës vendos Kryesia e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. “Askush nuk mund ta ndërpresë punën e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se, “zgjedhja e Presidentit të Republikës do bëhet në afatin kishtetues e ligjor”.
Ndërsa, lideri i AAK-së, deputeti Ramush Haradinaj, poashtu jashtë sallës plenare të Kuvendit të mbushur tym lotsjellësi, deklaroi për median se, “ky regjim është i shkarkuar dhe s’mund të vazhdojë të punojë më”.
“Situata politike në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më e komplikuar. Nuk është Kosova sot, sikur para 5-6 muajsh. Qeveria nuk mund të bëhët sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të vazhdojnë me improvizime e me provokime për t’i mbrojtur pozicionet e tyre, sepse kjo nuk është e mundur më”, është shprehur Haradinaj në një deklaratë më shkrim të dërguar.
Deputetët u rikthyen në sallën plenare pas ajrosjes –largimit të gazit lotsjellës. Por, gaz lotsjellës u hodh sërish per herë të dytë sot nga opozita, në përpjekjen për vazhdim të seancës së Kuvendit, ndërsa kryetari Kadri Veseli kërkoi ventilim-ajrosje dhe të qëndrojnë në sallë ata deputetë që munden për të vazhduar me axhendën. “Pesë minuta pauzë. Ventilatorët le të punojnë. Dhe do vazhdojmë pastaj”, u shpreh Veseli.
Kryetari Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, në deklaratë jashtë sallës plenare të Kuvendit u shpreh se, “populli po kërkon zgjedhje”.
“Zgjedhjet i zgjidhin të gjitha problemet. Nuk ka më legjitimitet kjo qeveri, as ky Kuvend”, tha ai duke shtuar se, “kërkesa e opozitës për zgjedhje është demokratike”.
Pas pauzës së zgjatur, deputetët u ftuan sërisht të kthehen në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës. Kryeparlamentari Kadri Veseli tendoi të vazhdojë me seancën, por për herë të tretë u hodh gaz lotsjellës. U hodhën dy bombola gazi lotsjellës, e kryeparlamentari që kishte vënë maskë për ta përballuar vazhdonte seancën. Në pamundësi për të vazhduar derisa deputetët po largoheshin dha edhe një pauzë tjetër “pesë minuta”.
Por, seanca e Kuvendit të Kosovës e ndërprerë tre herë sot me gaz losjellës të hedhur nga opozita pritet të vazhdojë pa deputetët opozitarë.
Njofimi zyrtar nga Kuvendi thekson se, “pas zhvillimeve të ndodhura në seancën e sotme, si pasojë e veprimeve të opozitës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dhënë një pauzë. Seanca do të vazhdojë me punimet e saj në orën 15:00”.
AAK njoftoi se janë arrestuar dy deputetë opozitarë, ndërsa të deputetët e opozitës deklaruan se të gjithë janë nxjerrë me dhunë jashtë sallës plenare të Kuvendit të Kosovës.
“Policia e Kosovës ka arrestuar deputetët e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së dhe deputetin Pal Lekaj. Ata në këto momente po mbahen në departamentin e krimeve të rënda në Prishtinë”, thekson AAK në njoftimin e dërguar.
“Të gjithë deputetët e opozitës janë nxjerrë nga salla në mënyrë të dhunëshme”, tha Visar Ymeri, lideri i VV, subjektit më të madh opozitar, ndërsa nga Kuvendi është njoftuar zyrtarisht përjashtimi i 18 deputetëve të opozitës.
“Nëntë deputetë largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme plenare” dhe “Largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme edhe nëntë deputetë të tjerë”, janë dy njoftimet zyrtare të Kuvendit. “Largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 19 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare”, theksojnë njoftimet zyrtare nga Kuvendi i Kosovës.
Zgjedhja e Presidentit të Kosovës nuk është në axhendën e njoftuar nga Kuvendi. Por, opozita ka ftuar protestuesit në shesh para Kuvendit për të kundërshtuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Opozita ka paralajmëruar se edhe vazhdimin e bllokimit, të nisur prej pesë mujash, të Kuvendit të Kosovës duke ritheksuar se “thirrja e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”.
Ndërsa Kuvendin e Kosovës, me shumë humbje kohe, e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi presidentes aktuale i kalon mandati pas rreth një muaj e gjysmë, në 6 prill.
Sipas Kushtetutës, “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë, të cilët më pas janë liruar.
Ndërkohë, ka pasur edhe disa arrestime tjera, së fundi në prag të protesës opozitare të 17 shkurtit i kryetarit të grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca, jo për zhvillimet e muajëve të fundit në Kuvend, por për një protestë, ku kishte edhe rrokullisje veturash, vite më parë, në 2009-tën.
Sipas opozitës së bashkuar, në protestën kundër qeverisë të pasditës së ditëfestës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit, në Prishtinë, ishin mbi 100 mijë pjesëmarrës, e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ndërsa vlerësimi i përbashkët ishte se protesta ishte paqësore, e qetë dhe pa asnjë incident.
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ka dhënë afat 10 ditë dhe nëse nuk ndodh kjo ka paralajmëtuar protestën e ardhëshme në 27 shkurt.
“Nëse nuk shpallen zgjedhjet, më 27 shkurt do të jemi edhe më shumë, edhe më fort”, paralajmëron opozita.
“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”, të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Për dallim nga Kuvendi, i cili deri sot nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në 2016-tën, qeveria e Kosovës zhvilloi dje mbledhjen e tetë në këtë vit.
Policia e Kosovës kumtoi pak më parë se, “referuar rrethanave dhe situatës së krijuar sot në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe jashtë tij, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë, ka ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme dhe në këtë kontekst për intervistim në polici sipas procedurave ligjore janë shoqëruar gjashtë (6) persona të dyshuar, tre (3) prej tyre deputet të kuvendit të RKS-së, të cilët dyshohen për kryerje te veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve” (gazit lotsjellës), nga neni 374 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr dhe po ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”.
DY NJOFTIMET NGA KUVENDI:
Nëntë deputetë largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme plenare.
Pas zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës, në seancën plenare më 19 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Shqipe Pantina, Salih Salihu, Mytaher Haskuka, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Albin Kurti, Enver Hoti, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli, të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 19 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.
Largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme edhe nëntë deputetë të tjerë
Pas përsëritjes së veprimeve të njëjta në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në mbështetje të nenit 67.7 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 41, paragrafi 3, pika c. të Rregullores së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës në seancën plenare më 19 shkurt 2016, të cilët penguan zhvillimin e punimeve të seancës plenare, ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Rexhep Selimi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Daut Haradinaj, Besnik Bislimi, Albulena Haxhiu, Zafir Berisha, Pal Lekaj dhe Shukrije Bytyqi, të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare më 19 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.