-Raporti paraqet rezultatet e hulumtimit të kryer në kuadër të projektit rajonal “Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për avokim për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve”/
PRISHTINË, 17 Dhjetor 2016/ Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës lançoi sot raportin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve, pjesë e projektit rajonal, ku janë të përfshira pesë shtete nga rajoni.Raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” është kryer në bazë të analizave cilësore të dokumenteve, intervista cilësore me 14 individë – shumica gazetarë, anketa me 50 gazetarë dhe në bazë të dhënave zyrtare statistikore.Raporti është i ndarë në tre grupe: Mbrojtja ligjore e lirisë së mediave; Pozita e gazetarëve nëpër redaksi, etika profesionale dhe niveli i censures; Siguria e gazetarëve.“Legjislacioni vendor ofron garanci për lirinë e shprehjes, të mediave dhe informacionit, mirëpo vlerësimi i përgjithshëm i të gjithë gazetarëve dhe ekspertëve të intervistuar është se zbatimi i garancive të tilla ligjore është i dobët në praktikë”, thekson raporti.Ligji për qasje në dokumente publike vazhdon të jetë ligji që nuk respektohet nga institucionet shtetërore. “Sipas anketës, 78% të gazetarëve kanë theksuar se institucionet shtetërore kanë refuzuar t’u japin qasje atyre në dokumente publike, të nevojshme për raportimin e tyre. Gazetarët e anketuar thonë se Kuvendi i Kosovës është më i hapur ndërsa qeveria është më e mbyllur”, shtohet më tej.
Gazetarët e intervistuar kanë cekur disa brenga të tyre si mungesa e kontratave të punës, vonesat e pagave dhe borgjet ndaj tyre nga pronarët, gazetarët punojnë jashtë orarit dhe nuk kompensohen, dhe gjysma e gazetarëve të anketuar kanë thënë se pozita e tyre ekonomike është përkeqësuar ndër vite.“Kur bëhet fjalë për sigurinë e gazetarëve, ata thonë se sistemi i drejtësisë nuk është efikas në trajtimin e lëndëve të tyre kur ata kërcënohen apo sulmohen fizikisht. Sipas AGK-së, që nga viti 2014 e deri më tetor 2016, janë paraqitur 43 raste, shumica prej tyre kërcënime dhe sulme fizike. Ndërsa, sipas statistikave të policisë, që nga viti 2013 e deri në gusht 2016, rastet e tyre në polici i kanë raportuar 63 gazetarë”, vë në dukje raporti.Më tej, raporti rekomandon partitë politike që të heqin dorë nga ushtrimi i ndikimit në transmetuesin publik. AGK rekomandon po ashtu që Kuvendi i Kosovës duhet të gjejë një zgjidhje të duhur financiare për RTK-në.Ky raport paraqet rezultatet e hulumtimit të kryer në kuadër të projektit rajonal “Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për avokim për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve”, i cili zbatohet nga asociacionet kombëtare të gazetarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi./b.j/