-Ministri i Kulturës i Malit të Zi, Ljanko Ljumović, vizitë në Kosovë/
PRISHTINË, 28 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Kulturës i Malit të Zi, Ljanko Ljumović, mbërriti sot për vizitë zyrtare në Kosovë, ku takon autoritete të larta shtetërore në Prishtinë.Bashkë me ministrin kosovar të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ministri malazez Ljumović, në përcjellje të zyrtarëve të të dyja ministrive, vizitojnë Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, ndërsa në axhendë ka edhe aktivitete tjera.Mali i Zi është shteti i 48-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.
KOSOVA DHE MALI I ZI ME MARRËVESHJE PËR BASHKËPUNIM KULTUROR
Prishtinë, 28 prill 2017-Gazeta DIELLI/Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Malit të Zi kanë nënshkruar sot një marrëveshje kulturore e cila i rregullon raportet kulturore ndërmjet dy vendeve dhe e konkretizon këtë bashkëpunim.Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e kulturës të dy vendeve, Kujtim Shala dhe Janko Ljumoviq, në praninë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.Fillimisht, kryeministri Mustafa priti në takim ministrin e Kulturës të Malit të Zi, Janko Ljumoviq, ku u bisedua për shkëmbimet ndërmjet dy vendeve, më theks të posaçëm në fushën e kulturës.Kryeministri Mustafa, me këtë rast, vlerësoi raportet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy shteteve duke theksuar përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit me Malin e Zi.Pas takimit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Kosovës, Kujtim Shala dhe ministri i Kulturës i Malit të Zi, Janko Ljumoviq, nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim kulturor, e cila synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse të dy shteteve në fushën e kulturës, duke mbështetur bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës dhe artit, për t’i njohur dhe prezantuar publikut dhe palëve të treta, trashëgiminë kulturore dhe të arriturat bashkëkohore kulturore të të dyja vendeve.Sipas marrëveshjes, Kosova dhe Mali i Zi, po ashtu, do të angazhohen në promovimin e bashkëpunimit në mes të institucioneve të tyre përkatëse, të cilat janë përgjegjëse për fusha të tilla si: arkivat, bibliotekat, muzetë, letërsinë, muzikën, artet pamore dhe performuese, veprimtaritë botuese, kinematografinë dhe mediat e tjera audiovizuale. Po ashtu, dy vendet do të nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në fushën e muzikës dhe vallëzimit, shkëmbimit të informacionit dhe ftesave reciproke për muzikë, balet, vallëzim dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare të mbajtura në territorin e vendeve të tyre.