
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 14 Dhjetor 2022/ Republika e Kosovës këtë javë aplikion për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sot në Prishtinë, në Presidencën e Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani, Kryetari i Kuvendit Konjufca dhe Kryeministri Kurti janë deklaruar për media.
Gazeta DIELLI sjell të plota deklaratat:
PRESIDENTJA VJOSA OSMANI: DITË HISTORIKE PËR KOSOVËN
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
I nderuar kryetar i Kuvendit,
I nderuar kryeministër,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot është një ditë historike. Ky është një moment historik.
14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë – në historinë e Republikës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e themelimit të ushtrisë sonë. Të dyja këto, akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë euro-atlantik.
Së bashku me Kryetarin Konjufca dhe Kryeministrin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive e ambicies sonë të patjetërsueshme. Ne jemi sot së bashku për të sjell vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuar po kështu që edhe Bashkimi Evropian të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe.
Për Kosovën dhe qytetarët e saj, nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër.
Por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet e ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet.
Në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ky akt i dedikohet të gjithë qytetarëve të vendit tonë – Evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovouesve të vlerave evropiane. Por mbi të gjitha, ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës të cilët sakrifikuan jetën duke mbrojtur idealet për liri, pavarësi e demokraci gjersa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid.
Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër; promovues dhe garantues i të drejtave demokratike; vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira; garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve joshumicë; Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuuesja e paepur për paqe e siguri, e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian.
Rruga jonë përpara është e qartë. Procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses.
Ne do ta bëjmë pjesën e punës sonë, në mënyrë që Bashkimi Evropian ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vet. Në këtë rrugëtim, ne do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj, ne sot po bëjmë një hap historik, në mënyrë që Bashkimi Evropian të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik. Na priftë e mbara!
KRYETARI I KUVENDIT GLAUK KONJUFCA: HAPI I PARË ZYRTAR NË RRUGËN E ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN
– E nderuara Presidente Osmani-Sadriu,
– I nderuari Kryeministër Kurti,
– Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
-Të nderuara medie,
Sot, në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim të nënshkruajmë letër kërkesën në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Më lejoni të filloj këtu duke cituar z. Jean Monnet, një vizionar i njohur politik dhe diplomat francez i përkushtuar ndaj kauzës së integrimit evropian, i cili tha “Nuk ka të ardhme për njerëzit e Evropës, përveçse nëpërmjet bashkimit.”
Bashkimi Evropian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi. Për këtë arsye, sot po nënshkruajmë kërkesën zyrtare që do të nisë një proces anëtarësimi dhe integrimi të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Për Kosovën dhe gjithë rajonin, anëtarësimi në këtë Union është i rëndësisë së veçantë. Union i cili ofron stabilitet, demokraci, siguri dhe prosperitet zhvillimor, ku respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme dhe lëvizja e lirë e punëtorëve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit janë në thelbin e saj.
Një Union i cili stimulon rritjen ekonomike, ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe mirëqenies dhe na mbështet në rritjen e tregut dhe kërkesës sonë të brendshme, duke përfshirë qasjen për 450 milionë konsumatorë.
Zonja dhe zotërinj, ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit në BE, një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë.
Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian, nga i cili presim të rekomandojë që BE-ja t’i japë këtë status Kosovës, por ku vendimi i takon qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht për të dhënë miratimin e tyre.
Republika e Kosovës ka kushtetutën dhe legjislacionin e saj, të hartuara në përputhje me legjislacion (acquis) të BE-së dhe kjo është pjesë vitale e kontributit afatgjatë të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të përafruar procesin e integrimit të Kosovës në BE.
Prandaj ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE, një fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë rekord.
Marrja e statusit kandidat ka peshë të konsiderueshme dhe me të drejtë konsiderohet vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane.
Për këtë arsye, ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së që të demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe në këtë mënyrë të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës, reforma të cilat e kanë kuptimin e interesit për qytetarët e Kosovës dhe jo thjesht për politikanët dhe zyrtarët publik, ashtu që ta forcojnë sigurinë në Evropë dhe ta mundësojmë së bashku zhvillimin ekonomik dhe bashkimin e kontinentit tonë.
Ju faleminderit!
KRYEMINISTRI ALBIN KURTI: APLIKIMIN DO T’IA DORËZOJMË PRESIDENCËS ÇEKE TË KËSHILLIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË PRAGË
E nderuara presidente e Republikës,
I nderuari kryetar i Kuvendit,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Të nderuar punonjës të mediave,
Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi;
Orientimin tonë të qartë evropian e euro-atlantik;
Besimin në vlerat fondamentale të Bashkimit Evropian;
Konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian;
Sot, po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madh të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian.
Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.
Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë.
Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.
Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm.
Ne do të ecim përpara në meritën tonë. Pra, në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri.
Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.
Së bashku, në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë, çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.
Ju faleminderit e urime të gjithëve.