-Se lufta jonë çlirimtare ishte e pastër dhe e shenjtë do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë/


PRISHTINË, 13 Janar 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot dy komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtakun dhe Rrustem Mustafën para se ata të nisen për në Hagë, me ftesa nga Gjykata Speciale.
“Se lufta jonë çlirimtare ishte e pastër dhe e shenjtë do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë! Së bashku do të dalim faqebardhë edhe në këtë sfidë!”, është shprehur kryeministri Haradinaj.
Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, është nisur sot për në Hagë, me ftësë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. “Do të intervistohem më 16 janar. Nuk e di në çfarë cilësie”, citohet ai nga media.
Edhe ish-komandanti i UÇK-së – Zonës Operative të Llapit ka udhëtuar sot drejt Hagës, poashtu i ftuar të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në 14 janar. Ai deklaroi se do intervistohet si “dëshmitar i dyshuar”. “Normalisht që ne jemi të pafajshëm”, është shprehur para mediave.
Janë këto nisjet e para drejt Hagës. Arianit Koci, avokat i Lushtakut dhe i Mustafës, poashtu është deklaruar para mediave pak para nisjes për në Hagë duke u shprehur se “mirë po shkojmë, mirë do të kthehemi”.
****
KOSOVA BESON NË PASTËRTINË E LUFTËS SË UÇK-së, BESON NË DREJTËSI
PRISHTINË, 13 Janar 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar sot: Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve.

Por, e them me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi.
Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.
Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës.
Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues. Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara.
Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet.
Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës. HTH
UÇK, LUFTË TË DREJTË NË QËLLIM DHE VEPRIME
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli: Ka veç një të vërtetë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: LUFTË E DREJTË NË QËLLIM DHE VEPRIME. Prandaj, nga sfida e Gjykatës Speciale do të dalim faqebardhë.
Kjo e vërtetë, kjo luftë e shenjtë do të mbrohet edhe nga miqtë e mi, bashkëluftëtarët, Samiu dhe Remi, por edhe nga cilido pjesëtar i UÇK-së që do të kërkohet!
***