Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari në Arkivin Shtetëror të Kosovës: Ballina e numrit të parë të gazetës së rezistencës në Kosovë “Bujku”, të 18 janarit 1991/
-Nga korrespondenti në Kosovës i Gazetës Dielli, Behlul Jashari/
PRISHTINË, 17 Janar 2016/ Para çerek shekulli – 25 vitesh, në 18 janar 1991, doli numri i parë i gazetës së përditshme “Bujku”, gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën e nxorën gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale. Kryeredaktori i parë-themelues i gazetës “Bujku” u bë edhe themelues i bashkëpunimeve të para të mediave Kosovë-Shqipëri me këmbime shkrimesh dhe korrespondent i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i pari nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë.
Ishte 17 janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.
Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, për si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persik…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e SHBA në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen.
“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin e para mëse 13 viteve, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt…
Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.
Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë, duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.
Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për ATSH-në një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…
Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 71 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me anagzhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…
***
*Autori – korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, ishte kryeredaktor i parë-themelues i Gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku”, pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci