-Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme/
-Për dy vjet Ministria e Diasporës ka regjistruar 400 mijë pjesëtarë të diasporës sonë dhe po punohet për vënien në funksion të regjistrimit online/
-Gjatë vitit të shkuar në Kosovë janë futur mbi 750 milionë euro remitanca, të rëndësishme për shumë familje kosovare por edhe për buxhetin e vendit/
-Bashkë me ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri po punohet për hartimin e korrikulave të përbashkëta për mësim plotësues në gjuhën shqipe/
-Ministri i Diasporës, Valon Murati, është angazhuar për gjetjen e mundësive ligjore për përfaqësimin e mërgatës dhe të diasporës sonë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të mbështesin idenë për vendet e rezervuara për mërgimtarët, çështje kjo që mund të zbatohet me ndryshimin e Kushtetutës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 26 Tetor 2016/ Ministri i Diasporës, Valon Murati, raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës për punën e Ministrisë që e udhëheqë.
Në raportin e tij, ministri Murati prezantoi detajisht aktivitetet e realizuara nga Ministria e Diasporës por edhe sfidat me të cilat është ballafaquar gjatë realizimit të tyre. Në këtë takim u diskutua edhe rruga që duhet ndjekur në raport me diasporën tonë.
Ministri Murati mori përkrahje nga të gjithë anëtarët e komisionit, si nga deputetët e pozitës, po ashtu edhe nga ata të opozitës, të cilët i ofruan mbështetje atij dhe Ministrisë së Diasporës për punën që po e bën dhe qasjen ndaj diasporës.
Në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar, ishte ftuar ministri i Diasporës, Valon Murati, të raportojë për aktivitetet e ministrisë të cilën e drejton dhe për gjendjen e mërgatës sonë të fuqishme në vende të ndryshme të botës.
Që në fillim të fjalës së tij para anëtarëve të Komisionit, Murati ka theksuar se sipas Ligjit dhe të Strategjisë për diasporën dhe mërgatën, si objektivë është identifikuar fuqizimi i bashkëpunimit ekonomik me diasporën për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës, për promovim dhe tërheqje e lehtësim investimesh. Për këtë qëllim, ka thënë ministri, janë krijuar 23 rrjete që ndërlidhin bizneset e bashkatdhetarëve tanë nëpër botë, si dhe rrjeti qendror që e koordinon punën e rrjeteve në nivel shtetesh. Ai tutje ka pohuar se Ministria e Diasporës udhëheq me njërën nga katër grupet punuese të Këshillit Kombëtar për zhvillimin ekonomik, përkatësisht me Grupin për tërheqjen edhe lehtësimin e investimeve nga diaspora në Kosovë.
“Diaspora është jo vetëm potencial njerëzor, por edhe kapital kulturor dhe ekonomik për vendin tonë”, ka theksuar Murati, duke e vlerësuar lartë kontributin e saj, jo vetëm për mbijetesën e banorëve të Kosovës gjatë viteve të okupimit serb, por edhe për luftën e UÇK-së. Ai ka prezantuar edhe probleme dhe vështirësi që hasin mërgimtarët tanë kur duan të investojnë në Kosovë, apo thjesht ta vizitojnë vendin e lindjes: që nga sigurimet e shtrenjta kufitare, Kartoni i gjelbër, pastaj problemet për gjetjen e parcelave për të ngritur biznesin e tyre, sigurinë e pamjaftueshme ligjore për funksionimin e tyre, etj.
Duke pohuar se gjatë vitit të shkuar në Kosovë janë futur mbi 750 milionë euro remitanca, të rëndësishme për shumë familje kosovare por edhe për buxhetin e vendit, Murati ka pohuar angazhimin e tij që të gjenden mundësitë që në ekonominë e vendit të investohet rreth 8 për qind e kësaj vlere. Ministri ka mbështetur idenë se duhet të krijohen lehtësira për investimet e kapitalit të bashkëkombësve tanë nëpër botë, për të rigjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe eksport të mallrave e të shërbimeve. Ai ka pohuar gjithashtu se nëpërmjet panaireve të ndryshme që ka organizuar Ministria e Diasporës për produktet e prodhuara nga kompani të mërgimtarëve tanë në vende të zhvilluara ekonomike, si për shembull të atyre në Gjermani, janë krijuar një mijë vende pune për qytetarë tanë.
Murati ka përmendur aktivitete të shumta të Ministrisë , të cilën e drejton, si takimin me Odën e Avokatëve të njerëzve tanë nëpër botë, krijimin e asociacioneve të tjera të intelektualëve, ekspertëve të lëmenjve të ndryshëm, të artistëve etj, duke theksuar faktin se shqiptarët migrantë në botë më nuk janë vetëm forcë krahu, por edhe krijues vlerash intelektuale e shkencore, madje edhe profesorë universitetesh të njohura dhe deputetë në parlamentet e vendeve ku jetojnë dhe veprojnë.
“Bashkatdhetarët tanë nëpër shtetet perëndimore duhet ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, por edhe të integrohen në vendet ku jetojnë dhe punojnë”, ka theksuar Murati, duke pohuar për dy vjet Ministria e Diasporës ka regjistruar 400 mijë pjesëtarë të diasporës sonë, dhe se po punohet për vënien në funksion të regjistrimit on-line.
Duke folur për arsimin shqip të fëmijëve nga radhët e mërgimtarëve tanë ai ka përmendur një var vështirësish dhe problemesh, si: mplakja e kuadrit arsimor, financimi i tyre, sigurimi i hapësirave për mësim plotësues, etj. Në këtë kuadër ai është angazhuar që universitetet publike, por edhe ato private në Kosovë dhe Shqipëri të kujdesen për ngritjen e kuadrit të ri për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duke rezervuar një numër solid studentësh nga fëmijët e mërgimtarëve, për të mbajtur gjallë dhe kultivuar gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtarë të trashëgimtarëve. Ai ka pohuar se bashkë me ministritë e arsimit në Kosovë dhe Shqipëri po punohet për hartimin e korrikulave të përbashkëta për mësim plotësues në gjuhën shqipe, kurse ka thënë se nuk ka probleme për sa i përket furnizimit të nxënësve me tekste shkollore falas.Ministri për Diasporë, Murati, është angazhuar për gjetjen e mundësive ligjore për përfaqësimin e mërgatës dhe të diasporës sonë në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga deputetët që të mbështesin idenë për vendet e rezervuara për mërgimtarët, çështje kjo që mund të zbatohet me ndryshimin e Kushtetutës.
Anëtarët e Komisionit, të pranishëm në takim: Blerta Deliu Kodra, Ismet Beqiri, Pal Lekaj, Zafir Berisha dhe Luljeta Veselaj- Gutaj , por edhe deputetja Aida Dërguti, e cila nuk është anëtare e Komisionit, e kanë komplimentuar Muratin si rrallë ndonjë ministër tjetër për punën e tij dhe të dikasterit që e udhëheq. Ministri Murati kishte ardhur me ekip më të numërt të bashkëpunëtorëve se sa numri i anëtarëve të Komisionit, të pranishëm në takim.Ministri Murati me bashkëpunëtorë u zotua se MeD-ja do të vazhdojë të punojë edhe më shumë, me gjithë buxhetin e vogël që ka, në mënyrë që lidhjet me diasporën të vazhdojnë të forcohen.