-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”/
PRISHTINË, 6 Maj 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë sot, me homazhe dhe kurora lulesh, nderohet e përkujtohet akademik Fehmi Agani, i vrarë 18 vjet më parë, në 6 maj 1999, nga forcat serbe derisa po udhëtonte drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.
Homazhe bëjnë edhe bashkëveprimtarë të profesor Aganit në lëvizjen për liri e pavarësi, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, prijës i së cilës si bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte që nga themelimi.
Presidenti Rugova me një dekret të veçantë ka dekoruar akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Duke e shpallur këtë vendim në 6 maj 2004, Presidenti Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”./b.j/
LDK-Ismet Beqiri: Prof. Fehmi Agani ishte një ndër kryesorët që i priu lëvizjes tonë shumëvjeçare
Sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike te Kosovës ka bërë homazhe te varri i prof. Fehmi Aganit. Duke çmuar dhe vlerësuar lartë figurën e Fehmi Aganit, në 18-vjetorin nga vrasja e tij, u përkujtua vepra e tij madhore.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri tha se prof. Agani ishte dhe mbetet një ndër personalitetet më emblematike jo vetëm i LDK-së por i gjithë shqiptarëve.
“Prof. Fehmi Agani ishte një ndër kryesorët që i priu lëvizjes tonë shumëvjeçare, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Historik Ibrahim Rugova, dhe padyshim mungesa e tij ndihet sepse ka qenë jo vetëm njeri i shkencës dhe i politikës, por edhe shumë largpamës dhe po i mungon jetës politike, institucionale dhe akademike në vendin tonë”, tha ndër tjerash z. Beqiri.
Poashtu ai theksoi se në emër të Kryesisë së LDK-së dhe në emër të kryetarit njëherësh kryeministrit të Kosovës, Akademik Isa Mustafa do ta shprehin përherë respektin dhe nderimin që meriton prof. Agani, për gjithë atë që ka bërë për ne dhe për vendin edhe si punëtor arsimi por mbi te gjitha si njeri i dijes politike madhore dhe si një udhërrëfyes i yni se si duhet çasur problemeve dhe vështirësive në momentet më të rënda gjatë gjithë këtij rrugëtimi drejt shtetndërtimit të Kosovës.
Bashkë me Kryesinë e LDK-së, të pranishëm ishin edhe familja Agani.