QEVERIA E KOSOVËS PARALAJMËRON BISEDIME ME OPOZITËN DHE RIPROCEDIM NË KUVEND TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE DREJT KRIJIMIT TË SPECIALES/
Nga: Behlul Jashari/
PRISHTINË, 27 Qershor.-Qeveria dhe insititucionet tjera të Republikës së Kosovës angazhohen që në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë që çështja e Gjykatës Speciale të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
MUSTAFA: ËSHTË FAT I KEQ QË ËSHTË KËRKUAR QË GJYKATA TË THEMELOHET JASHTË KOSOVËS
Në një mbledhje konsultative të qeverisë, të zhvilluar sot, lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, kryeministri kosovar Isa Mustafa paralajmëroi riprocedim dhe për këtë bashkërendësim e bisedime edhe me tre partitë opozitare që nuk i votuan dje në Kuvend ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Speciales.“Kam ftuar këtë mbledhje konsultative të qeverisë, për të biseduar bashkërisht lidhur me hapat që do të ndërmarrim në këto ditë rreth përmbushjes së obligimeve të institucioneve tona ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ne i kemi ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë rast ndaj marrëveshjes që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, që është ratifikuar në Kuvend me ligj të veçantë”, tha fillimisht Mustafa.Dje, vijoi ai, ka qenë seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën është diskutuar gjatë lidhur me amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje.“Edhe përkundër asaj që nuk është arritur që të sigurohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë evidente është realizuar vullneti i shumicës së deputetëve, dhe kjo flet për përcaktimin e shumicës që ne të ndjekim rrugën evropiane dhe euroatlantike, që ne të tregojmë seriozitetin tonë lidhur me zbatimin e të gjitha detyrimeve tona që i kemi marrë ndaj faktorit ndërkombëtar, dhe detyrimeve të cilat i kemi marrë vitin e kaluar lidhur me ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letrës e cila është këmbyer ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Baroneshës Ashton, e që ka të bëjë me themelimin e dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale”, u shpreh kryeministri kosovar.
Në këtë rast, vijoi ai, ne konsiderojmë se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet, si qeveri e Republikës së Kosovës, edhe më tutje që të përmbushen detyrimet e vendit tonë, sepse kemi të bëjmë me përmbushjen e detyrimeve ndaj vënies së drejtësisë, mirëpo gjithmonë duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të shtrojmë një rrugë dhe një perspektivë të përbashkët të zhvillimit të vendit tone”, theksoi Mustafa.
Ne, tha ai, mendojmë se në ditët në vijim qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet me Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvend dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë.
“Konsiderojmë poashtu se çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimi i drejtësisë nuk është vetëm çështje e pozitës, përkatësisht e partive të cilat janë në pozitë, është çështje e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe deputetëve të opozitës të cilët në mandatin e kaluar e kanë votuar ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letërkëmbimin ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton (përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian në atë kohë), dhe janë pjesë e ligjit mbi ratifikimin e kësaj marrëveshje. Ky ligj i detyron jo vetëm partitë që janë në pozitë, por i detyron të gjitha subjektet në Kosovë që ta bëjnë zbatimin e saj dhe ne poashtu e shohim arsyen që edhe me partitë opozitare të bashkërendisim dhe të bisedojmë, sepse çështja e vënies së drejtësisë dhe çështja e perspektives evropiane të Kosovës nuk është çështje vetëm e disa strukturave, ose e një strukture politike ose një koalicioni politik, por është çështje e shtetit të Kosovës, është çështje e qytetarëve të Kosovës dhe është çështje e ardhmërisë tone”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai vijoi se, të gjithë ne do të ishim të lumtur sikur kjo gjykatë me kohë të ishte themeluar në Kosovë dhe ne të përplotësonim të gjitha kushtet që një gjykatë e tillë të funksiononte këtu.
“Është fat i keq edhe për Kosovën edhe për neve që është kërkuar që gjykata të themelohet jashtë vendit. Mirëpo, ne megjithatë jemi pajtuar sepse kemi ratifikuar një marrëveshje të tillë dhe të gjithë ne e kemi marrë për obligim se ajo marrëveshje do të realizohet. Prandaj, ne shohim arsye të punojmë, të tregojmë gatishmërinë tonë dhe përcaktimin tonë që si qeveri duhet të punojmë edhe më tutje, të bashkëpunojmë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe suksesin tonë e shohim si sukses të të gjithëve”, tha kryeministri.
Mustafa tha se, natyrisht se në asnjë rast nuk i gëzohemi asaj që ne të festojmë ose të manifestojmë mosvotimin e përcaktimeve tona dhe detyrimeve tona, por e shohim si sukses kur detyrimet tona arrijmë t’i bëjmë vepër dhe që zotimet tona që i kemi dhënë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian t’i vëmë në vepër dhe të ecim në perspektiven evropiane.
“Kemi nevojë që të kemi bashkëpunim ndërkombëtar, kemi nevojë të ecim rrugës së integrimeve evropiane, sidomos të atyre që kanë të bëjnë tani me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, me liberalizimin e vizave, me aderimin tonë në institucionet tjera ndërkombëtare, të cilat janë të domosdoshme që aty të gjendemi dhe për këtë ne duhet të tregojmë përcaktimin dhe seriozitetin tonë ndaj të gjitha detyrimeve të cilat Kosova i ka marrë, por edhe ndaj detyrimeve të cilat ne do t’i marrim në të ardhmen”, tha kreu i qeverisë kosovare.
Prandaj, përfundoi Mustafa, takimi i sotëm ishte i karakterit që ne të ulemi të tregojmë përcaktimin tonë dhe zotimin tonë që do të punojmë këto ditë, në mënyrë që të përmbushim detyrimet tona, do të punojmë më tërë Kuvendin, me të gjithë deputetët dhe me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar që është këtu dhe pastaj në qeveri do të marrim vendimin adekuat lidhur me riprocedimin e amendamenteve përkatësisht lëndës e cila do të mundësonte që ne të realizojmë këto detyrime.
THAÇI: GJYKATËN SPECIALE TA THEMELOJMË NË BAZË TË KUSHTETUTËS DHE LIGJEVE TË KOSOVËS, BASHKËRISHT ME PARTNERËT TANË BE-në E SHBA-të
Zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se mbështetë plotësisht qëndrimet që i prezantoi kryeministri Mustafa në emër të qeverisë dhe pozicionimin e qeverisë së Republikës së Kosovës edhe pas zhvillimeve të reja që kanë ndodhur dje në Kuvend. “Ajo që është me rëndësi është që shumica e deputetëve ishin në favor të përcaktimit tonë të kryerjes së këtij standardi, kriteri apo edhe obligimi karshi bashkësisë ndërkombëtare që e kemi marrë ne si shtet i Kosovës”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi Thaçi, vlerësoj se riprocedimi në kohën e duhur në ditët e ardhshme nga ana e qeverisë është një vendim i drejtë, një vendim që duhet të kalojë edhe përmes një koordinimi edhe ndërpartiak, por në të njëjtën kohë edhe një konsultimi të ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur dhe sa më shumë që është e mundur në kuptimin e një konsensusi edhe politik edhe qytetar edhe një bashkëpunimi të ngushtë me partnerët tanë strategjikë në mënyrë që të ruajmë hapin e perspektivës evropiane edhe në procesin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit, aplikimit në Këshill të Evropës si dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
“Prandaj, unë dëshiroj dhe në njëjtën kohë shpresoj që ne do të ngrihemi të gjithë mbi reagimet çfarë i kemi pasur edhe dje aty këtu prej deputetëve apo individëve të caktuar, në mënyrë që të marrim përgjegjësinë edhe të vlerësimit politik, edhe të votimit në kuadër të përgjegjësive më të larta tona kushtetuese, ligjore dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës. E ritheksoj edhe sot se është jetike për të ardhmen e vendit që të themelojmë ne gjykatën e veçantë, Gjykatën Speciale, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, pra ta themelojmë bashkërisht me partnerët tanë Bashkimin Evropian dhe SHBA-të dhe në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit”, theksoi kryediplomati kosovar Thaçi.
Ai vijoi se, bashkërisht me partnerët tanë ne jemi të qartë se do të përmbyllet kjo çështje në periudhë shumë të shkurtër kohore 3 deri 5 vjet, ndërsa në rast të ndonjë rreziku tjetër apo lëshimi tonë kjo çështje mund të bartet në një periudhë të gjatë, me dëm të madh për shtetin e Kosovës, në periudhën 15 apo 20 vjeçare.
“Do të thotë edhe dëmi politik mund të jetë i madh, edhe dëmi i perspektivës euroatlantike por edhe një dëm i madh i sanksioneve të ndryshme për zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e sigurt për qytetarët e Kosovës”, përfundoi Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës në një deklaratë mbrëmë vonë vlerësi se mosmiratimi i djeshëm në Kuvendin e Kosovës i ndryshimeve kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nuk i shërben interesave madhore të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar të punojë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që derivojnë nga letërkëmbimi ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton si dhe fton të gjitha institucionet që t’i kontribuojnë përmbushjes së këtij obligimi dhe të mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës”, theksonte deklarata.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se çdo dështim për përmbushjen e obligimeve nga ana e institucioneve tona, e vë në pikëpyetje seriozitetin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.
MUNGONIN 5 VOTA PËR MIRATIM TË NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE PËR GJYKATËN SPECIALE
Kuvendi i Kosovës me 75 vota pro, 7 kundër, 2 abstenime nuk e miratoi propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës, krijimin e Gjykatës Speciale. Për miratim duheshin së paku 80 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë këtu edhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve pakicë.
Mungonin së paku 5 vota për miratim. Ndërsa më shumë se 5 mungonin votat pro të deputetëve nga partia më e madhe e koalicionit qeverisës, PDK – 7 ishin kundër e 2 abstenuan.
Në deklarime, dy forcat më të mëdha politike të koalicionit qeverisës që kanë 68 deputetë (PDK 35, LDK 33) u shprehën pro, e tre të opozitës me gjithësej 31 deputetë kundër, ndërsa grupet parlamentare të komuniteteve pakicë nuk u deklaruan. Pa grup parlamentar janë 5 deputetë, 4 shqiptarë e 1 serb.
JACOBSON: JEMI TË ZHGËNJYER THELLË NGA REZULTATI I VOTIMIT NË KUVEND
Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka bërë të ditur se SHBA-ja është e zhgënjyer thellë me moskalimin e amendamenteve që hapnin rrugën e themelimit të Gjykatës Speciale, dje në Kuvendin kosovar.
Sipas shtypit të sotëm të Prishtinës, ajo ka bërë të qartë se kjo çfarë ka dëshmuar të premten Kuvendi i Kosovës është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës. Jacobson bën sërish të ditur se Qeveria amerikane nuk do t’i bllokojë përpjekjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB në mungesë të themelimit të saj me lejen e Kuvendit të Kosovës.