-Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës/
-“Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje/
-Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi/
-Në 4 gusht 2016 Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/
-Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi/
Ne Foto: Ja kush e firmosi marreveshjen ne gusht 2015 ne Vjene/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 4 Dhjetor 2017/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, zhvilloi sot mbledhjen e 17-të, me pikë të parë në axhendë: Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015).
Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.
Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e qeverisë mori pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit Shpejtim Bulliqi tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme. Në mbledhje kanë folur edhe anëtarë të tjerë të Komisionit.
Të premtën e javës së kaluar, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Haradinaj njoftoi për gatishmërinë e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për të prezantuar raportin e gjetjeve për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri paralajmëroi se ky raport do të prezantohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme, pas konsultimeve që do të zhvillohen mes institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.
Muajin e kaluar, në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës ka raportuar kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, dhe anëtarë tjerë të këtij Komisioni.
Sa i përket punës së Komisionit të mëhershëm për demarkacionin, Bulliqi tha se nuk ka pasur një proces të qartë, profesional dhe transparent. Ndërsa, sa i përket ecurisë së punës së Komisionit të ri, të cilin e kryeson ai, tha se janë në proces të përfundimit të raportit dhe se po bëjnë përpjekje që sa më shpejtë kjo çështje të procedohet në qeveri e më pas në Kuvend.
Ndërsa, në një deklaratë për median në Prishtinë, Florim Isufi, anëtar i Komisionit për demarkacionin ka thënë se gjatë punës së tyre kanë arritur të sigurojnë informacione të reja, por pa dhënë detaje. “Kemi marrë elemente të reja, të cilat do t’i shfaqim në raport dhe me siguri që qeveria do ta publikojë. Ka gjëra të reja, të mos them befasuese”, është cituar ai në 1 dhjetor.
Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi. Marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.
Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.
Në 4 gusht 2016 Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga atëherë kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi,
“Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha keu i atëhershëm i qeverisë, Isa Mustafa.
Në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator, njoftohej se kryeministri Haradinaj, i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.
Në 22 shtator, qeveria e Koosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.
Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.
Kuvendi i Kosovës këtë javë mblidhet në dy seanca plenare, të martën e 5 dhjetorit për Buxhetin e Shtetit 2018 dhe të enjten për Programin e qeverisë 2017-2021.