“Kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projekt-rezolutës mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ishte pika e vetme.Në emër të propozuesit Visar Ymeri, nga PSD-ja, e prezantoi Projektrezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
“Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces, anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO. Ky dokumentacion e përkufizon qartë se Kushtetuta, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar i Kosovës, janë të pacenueshme dhe të patjetërsueshme”, theksoi Ymeri.Deputeti Ymeri, prezantoi emrat e anëtarëve që do të përbëjnë delegacionin.
Sipas tij, Shpend Ahmeti nga PSD dhe Fatmir Limaj nga NISMA-s do ta kryesojnë dialogun, ndërsa, anëtarë tjerë do të jenë: Enver Hoxhaj PDK, Avni Arifi nga AAK, Behgjet Pacolli nga AKR, Mahir Ygcilar nga 6+, Dardan Gashi, zëvendëskryeministër, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vendet do të jenë të lira për LDK-në dhe Vetëvendosjen. Deri në plotësimin e tyre, pjesë e delegacionit do të jenë Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, të dy nga PSD.Seanca vijoi, me qëndrimet e grupeve parlamentare, të pranishëm në seancë. Memli Krasniqi në emër të PDK-së, Dukagjin Gorani në emër të PSD-së, Ahmet Isufi në emër të AAK-së, Bilall Sherifi në emër të Nismës dhe Albert Kinolli nga Grupi parlamentar 6+, i dhanë mbështetje rezolutës së propozuar.
Rezoluta u përkrah edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit.
Më parë, po sot, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën.“Konform kërkesës së deputetëve dhe praktikave të deritashme, Kryesia vendosi që seanca të mbahet sot, në orën 14:00”, thekontr njoftimi i dërguar nga Kuvendi i Kosovës pas mbledhjes. Por, seanca nuk nisi në kohën e paralajmëruar në mungesë kuorumi dhe nisi pas orës 18:00, me 61 deputetë të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh.