-Misioni i OSBE-së në Kosovë, operacion për grumbullimin e votave të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë/PRISHTINË, 24 Prill 2016-B.Jashari/ Në Kosovë sot serbë me dyshtetësi votojnë për Parlamentin e Serbisë, derisa në Serbi po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet e rregullta lokale e në Krahinën e Vojvodinës edhe zgjedhjet për Kuvendin Krahinor.Në Kosovë, sipas medias serbe, për sot janë të regjistruar 106. 094 votues, të cilët “të drejtën e tyre për të votuar mund ta realizojnë në 90 vendvotime”.Ndërsa, në zgjedhjet e fundit parlamentare në Republikën e Kosovës të 8 qershorit 2014, lista përfundimtare e votuesve përmbante 1.782.454 emra, për të cilët në gjithë territorin ishin të hapura 798 qendra votimi me gjithsej 2.374 vendvotime.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar ndërmarrjen sot të një operacioni të grumbullimit të votave për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote në Kosovë qasje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.Paralajmërohej se, në këtë ditë, Misioni i OSBE-së do të hapë pesë qendra me degë përkatëse nëpër Kosovë, dhe stafi i OSBE-së do të jetë prezentë në secilën prej tyre. OSBE ka deklaruar se ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të duhur të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote.
Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e operacioneve të mëhershme, në veçanti atë të vitit 2014. OSBE do të jetë bartës i operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm që do të përdoret në këtë proces. Materiali si fletëvotimet dhe listat e votuesve i janë dorëzuar OSBE-së nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë. Mënyra e hedhjes së votës për personat me të drejtë vote do të jetë e njëjtë si në 2014.
Për personat me të drejtë vote, prania e Misionit të OSBE-së në terren ka vënë në dispozicion informacion rreth vendeve që do të shfrytëzohen për këtë operacion.
Pas përfundimit të procesit, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë (qytete në Serbi) dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë për numërim e procedura të mëtutjeshme.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, të vitit 2014, Misioni i OSBE-së në Kosovë, për nevojat e operacionit të mbledhjes së votave pat hapur 10 qendra në mjediset me shumicë serbe, në mënyrë që t’u mundësonte votimin serbëve të Kosovës me nënshtetësi të dyfishtë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, i cili nuk ka ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit, në Kosovë pa veriun u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë, ndërsa 1.47 % e banorëve ishin serbë, 1.58% boshnjakë, 1.08 % turqë, etj. Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
***
LB edhe një herë, kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë
Lëvizja për Bashkim, parti e koalicionit qeverisës që udhëheqë Ministrinë e Diasporës, me ministrin Valon Murati, kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë. Komunikata e plotë:
Të dielën, më 24 prill, janë caktuar të mbahen zgjedhjet parlamentare të shtetit fqinj, Republikën e Serbisë.
Sikurse edhe viteve të mëparshme, edhe këtë vit, Serbia e ka bërëtë qartë që do t’i organizojë zgjedhjet e veta parlametare edhe në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq, por e ka bërë të qartë, sikurse edhe viteve të kaluara, se zgjedhjet në Kosovë i konsideron dhe i trajton si zgjedhje në territorin e vet. Për më tepër, gjatë takimeve me qytetarët serbë në Kosovë, zyrtarët serbë nuk kanë lënë rast pa i theksuar haptas objektivat e tyre politike që ta minojnë dhe mohojnë shtetësinë e Kosovës, duke i shfrytëzuar këto mesazhe fashiste për t’i mobilizuar serbët e Kosovës për të votuar në këto zgjedhje.
Përderisa e drejta e votimit njihet për qytetarët që ruajnëdyshtetësinë, pra në këtë rast edhe për serbët e Kosovës që nëse kanë dy-shtetësi mund të votojnë edhe në zgjedhjet e Serbisë. Por,në rastin e Kosovës këto zgjedhje nuk përfillin asnjë normë të njohur ndërkombëtare në këto raste dhe LB konsideron se kjo shpërfillje nga Serbia e ka bazën në raportet e pazgjidhura në mes të dy shteteve, që pas mbarimit të luftës.
Prandaj, Lëvizja për Bashkim, edhe një herë i bën thirrje qeverisësë Kosovës dhe gjithë faktorit politik shqiptar, që në vend të qasjes parciale dhe joserioze në bisedimet me Serbinë, të ndërtohet një qasje gjithëpërfshirëse, përmes ndërtimit të një platforme kombëtare, nga të gjitha forcat politike shqiptare, e cila do të vendoste nëbinarë afatgjatë mënyrën e udhëheqjes së bisedimeve me Serbinë, binarë nëpër të cilët do të ecnin forcat politike shqiptare, pa marrëparasysh se cila do të ishte në pushtet e cila në opozitë dhe do të evitonte situata të pakëndshme si këto, në të ardhmen.
Deri atëherë, pasojat e raporteve jonormale me Serbinë do t’i vuajmë të gjithë pa përjashtim, përfshirë këtu edhe në ciklet zgjedhore lokale apo qendrore serbe. Pa marrë parasysh këtë, institucionet shtetërore të Kosovës duhet të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe duke qenë kështu në nivel të përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare, dhe duke mbrojtur kështu si interesat shtetërore, ashtu edhe ato kombëtare të popullit shqiptar.
Lëvizja për Bashkim,
Prishtinë, 23 prill 2016