Kosovë-Serbi, nisi në mesnatë zbatimi i Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve për automjete/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 12 Gusht 2015/ Në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi ka nisur zbatimi i Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve për automjete.
Ka hyrë në fuqi, sot nga mesnata, zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, të nënshkruar në Bruksel më 23 qershor 2015 në prani të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së.
Kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në njërën nga shtetet, Kosovë ose Serbi, e që posedojnë sigurim valid për territorin e palës tjetër. Me njohjen e policave të sigurimeve të automjeteve të lëshuara nga autoritetet respektive të Republikës së Kosovës, mundësohet liria e lëvizjes me çmime shumë më të lira.
Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që udhëtojnë në dhe nëpërmjet territorit të Serbisë janë të obliguar që të kenë në posedim të tyre përveç sigurimit/policës bazë për automjetet e tyre edhe MTPL Plus.
Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e rregullt dhe të përpiktë të kësaj marrëveshje.
Qeveria i fton qytetarët që të raportojnë pranë institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çdo parregullsi eventuale që mund ta hasin gjatë zbatimit të marrëveshjes, me qëllim të identifikimit dhe eliminimit të tyre.
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, duke përshëndetur hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e ka falënderuar Grupin Punues për punën e palodhshme në arritjen e kësaj marrëveshje, me theks të veçantë në rolin e patjetërsueshëm të Bankës Qendrore të Kosovës si autoritet rregullativ i sektorit të sigurimeve, poashtu Byronë Kosovare të Sigurimeve për zbatimin e saj dhe udhëheqësin e grupit teknik Rrahim Pacollin.
Në mbrëmjen e 23 qershorit 2015 njoftohej se, në Bruksel, në margjina të takimit të raundit të 26-të kryeministror Kosovë-Serbi, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, është nënshkruar Marrëveshja për Sigurimet Kufitare të Automjeteve.
Në 5 gusht, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e mbajtur në Bruksel lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve. Pas takimit u bë e ditur se, marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurimin e automjeteve nis zbatimin në 12 gusht.
Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Tahiri është takuar edhe me presidentin e Këshillit të Byrove Evropiane (KBE), Jean Zenners. Është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, me theks të veçantë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Këshillit të Byrove Evropiane, zbatimi i kritereve të KBE-së nga ana e institucioneve përgjegjëse të Kosovës dhe perspektiva e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove.